Ferizaj ka fituar ndaj Llapit me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

“Ujqit” kanë arritur t’i rikthehen fitores në kampionat pas gjashtë ndeshjeve, duke marrë tri pikë të mëdha ndaj Llapit.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën rastet e veta, por vetëm vendasit arritën ta gjejnë golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 22-të të ndeshjes me anë të Betim Haxhimusës, i cili shënoi për epërsinë 1-0.

Në pjesën e dytë, mysafirët filluan mirë duke gjetur golin e barazimit, por në fund vendasit shënuan përsëri për t’i marrë tri pikë shumë të vlefshme.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 63-të me anë të Muhamet Hysenit, i cili shënoi për 1-1, ndërsa në minutat shtesë përsëri goli në skenë Haxhimusa, i cili vulosi fitoren e Ferizajt me rezultat 2-1.

Pas kësaj fitore, Ferizaj e mbyll edicionin vjeshtor në pozitën e nëntë me 19 pikë, teksa Llapi i shtati me 21 pikë.

Related Posts