Reperit të njohur, Feronit Shabani, i njohur me nofkën Fero, i është ngritur aktakuzë për tri vepra penale.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Gjilan.
Sabit Shkodra, Udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Themeloren e Gjilanit, ka konfirmuar për Klanin se Fero akuzohet për dhunë në familje, për ngacmim seksual dhe kanosje.
“Në lidhje me rastin në fjalë ju njoftojmë se me datë 18.12.2024, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Feronit Shabani, për tre vepra penale, dhunë në familje nga neni 248 paragrafi 3 nen paragrafi 3.1 dhe 3.2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, ngacmim seksual nga neni 183 paragrafi 1 të KPRK dhe kanosja, nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shkodra.
Ai theksoi se me datë 25.06.2025, gjyqtari i çështjes ka mbajtur shqyrtimin fillestar, ku i pandehuri nuk e pranuar fajësinë për këto vepra penale dhe procesi gjyqësor vazhdon.