Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si trajtohen analizat sportive nëpër televizione, duke i cilësuar ato më shumë si humor sesa si analiza të mirëfillta.

Pas ndeshjes së fundit, Aliti u shpreh se fokusi duhet të jetë te loja dhe lojtarët, e jo te komentet e sipërfaqshme.

“Nuk ka rëndësi Fidani, Amiri apo Vedati. Dua t’i përgëzoj lojtarët e rinj që luajtën sot. U lumtë. Jemi mbrojtur dhe kemi pritur kundërsulmet. Kemi analizuar se çka nuk shkoi ndaj Zvicrës,” – tha Aliti.

Sipas tij, publiku në Kosovë meriton analiza profesionale dhe jo shaka që vetëm bëjnë njerëzit të qeshin.

“Këtu në Kosovë bëhen shumë analiza pas ndeshjeve. Populli ynë e meriton një analizë profesionale. Këto që po i dëgjoj nuk janë analiza, por humor. Në televizione bëjnë cirkus, i shtyjnë njerëzit që të qeshin. Për mua kjo nuk është analizë profesionale. Detyra jonë nuk është t’u përgjigjemi atyre,” – deklaroi mbrojtësi.

Aliti theksoi se lojtarët nuk duhet të merren me komentet e tilla, por të japin përgjigjen e tyre vetëm në fushën e lojës:

“Detyra jonë është t’i injorojmë. Nuk kemi nevojë t’u përgjigjemi atyre që bëjnë shaka me lojtarët. Përgjigjja jonë ishte në fushë.”

Deklarata e tij ka ngjallur reagime të shumta në opinion, duke hapur debatin për cilësinë e analizave sportive në mediat vendore.

About Author
Rilindja Shqiptare
View All Articles

Related Posts