Kosova dhe Kolumbia kanë firmosur marrëveshjen për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare

Ky zhvillim erdhi pas një takimi që zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti pati me homologen e tij nga Kolumbia, Paula Andrea Cerón Arboleda, gjatë të cilit u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Përpos kësaj ujdie, të dyja vendet u dakorduan edhe për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme si dhe nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike.

“Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve”.

“Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, transmeton Klankosova.tv.

Palët u pajtuan që në një afat të afërt të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Related Posts