Sulmuesi Fisnik Asllani thotë se dëgjoi zemrën dhe zgjodhi Kosovën, pavarësisht që kaloi shumë mirë te Gjermania.

Asllani iu bashkua Kosovës në dhjetorin e vitit 2023, ku në ceremoninë “Laureatët e Vitit” njoftoi të gjithë se ka vendosur të luajë në fanellën “Dardane”.

Në një intervistë së fundmi për “Transfermarkt”, Asllani e ka pranuar se zgjodhi Kosovën shkaku i zemrës.

“Është çështje zemre. Kam kaluar mirë në Gjermani, por bashkë me familjen vendosa të luaja për Kosovën. Është shumë e veçantë sepse prindërit e mi vijnë nga atje. Unë shkoj në Kosovë çdo verë dhe kam anëtarë të tjerë të familjes, si kushërinjtë, dajët, hallat dhe gjyshen. Për ndeshjen e parë me duhej të merrja tridhjetë ose dyzetë bileta. Ishin të gjithë të pranishëm, ishte shumë e bukur. Është ndjenjë e mrekullueshme të jesh lojtar i përfaqësueses”.

Ndër të tjera, Asllani deklaroi se vetëm po bën punën e tij te Elvsbergu, që është të shënojë gola.

“Nuk ka asgjë më të mirë se të shënosh gola. Topi hyn brenda portës, ju vraponi për të brohoritur dhe shihni tifozët duke festuar, është çmenduri. Sado e keqe të jetë një lojë, gjithmonë bëhet më mirë pas shënimit të një goli. Pastaj tutje gjithçka është ndryshe”.

“Dikur shikoja listat e golashënuesve – tani është edhe emri im aty. Ndonjëherë vëllai im më dërgon video në Tiktok dhe më shkruan: Shiko, ata thonë se je lojtari më i mirë në Kategorinë e Dytë, je ky, je ai, unë pastaj them me shaka që nuk jam aq i mirë. Unë shënoj vetëm gola”.

Asllani ishte top prioritet i Union Berlinit në afatin kalimtar të janarit, megjithatë në fund vendosi ta refuzojë për të qëndruar në Bundesliga 2 deri në fundin e këtij sezoni.

“Është mirë kur klubet tjera shprehin interesim. Kjo tregon arritjet tua. Por unë ndihem jashtëzakonisht rehat në Elversberg dhe gëzoj një besim të madh, që do të thotë se mund të zhvillohem më tej këtu dhe pastaj të bëj hapin tjetër në verë. I detyrohem shumë klubit dhe do të doja t’i arrija synimet së bashku me djemtë”.

“E ardhmja? Jam i hapur për gjithçka. Unë vetëm do të pres dhe të shoh se çfarë do të ndodhë. Fokusi im është tek Elversberg dhe jam i përqendruar vetëm se si mund të arrijmë më të mirën. Dua ta ndihmoj ekipin me gola, asistime dhe paraqitje të mira”.

Related Posts