Me këtë vendim, Franca jo vetëm nderon të kaluarën dhe figurat ikonike të muzikës elektronike, por edhe legjitimon këtë zhanër si një pjesë thelbësore të identitetit të saj kulturor bashkëkohor.

Muzika elektronike është njohur zyrtarisht nga shteti francez si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, një hap historik që konfirmon rolin e saj në formësimin e identitetit artistik dhe kulturor të Francës.

Vendimi e fut këtë zhanër në inventarin kombëtar të trashëgimisë jomateriale, duke e vendosur krah formave të tjera të shprehjes kulturore që kanë ndikuar thellësisht shoqërinë franceze.

Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, theksoi se muzika elektronike “ka vendin e saj të merituar në trashëgiminë tonë jomateriale kombëtare”, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë e klubeve të natës, të cilat tashmë konsiderohen si “hapësira të shprehjes artistike dhe festimit”.

Me këtë njohje, emra të mëdhenj si Air, Cassius, Daft Punk, Justice dhe legjenda Jean-Michel Jarre konsiderohen tashmë shtylla të kulturës franceze. Veçanërisht, vëmendje e posaçme i kushtohet Jarre, i cili në fund të viteve ’70 revolucionarizoi muzikën elektronike me albumin “Oxygène”.

I realizuar tërësisht me sintetizatorë të hershëm dhe pa vokale, albumi u bë një pikë referimi globale dhe hapi rrugën për atë që më vonë u quajt “French Touch”.

I publikuar në vitin 1976, “Oxygène”, së bashku me albumet pasuese si “Équinoxe” dhe “Zoolook”, ndikoi jo vetëm në skenën franceze, por edhe në zhvillimin e muzikës elektronike në mbarë botën. Ky trashëgim vazhdon të frymëzojë breza të rinj artistësh dhe producentësh.

Angazhimi i Jean-Michel Jarre për muzikën dhe kulturën shkon përtej krijimtarisë artistike. Ai ka qenë president i CISAC, konfederata botërore e shoqatave të autorëve dhe që nga viti 1993 mban rolin e Ambasadorit të UNESCO-s, ku ka qenë një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë jomateriale dhe të muzikës elektronike si formë arti.

Në vitin 2021, presidenti Emmanuel Macron e nderoi Jarre me Legjionin e Nderit, dekorata më e lartë franceze, duke e graduar në rangun e Komandantit, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm artistik dhe kulturor.

“Jam i lumtur që muzika elektronike po zë më në fund vendin e saj në trashëgiminë botërore”, u shpreh Jarre në një reagim publik, duke e cilësuar këtë njohje si një “moment historik për muzikën elektronike”, pas dekadash përkushtimi dhe advokimi në nivel ndërkombëtar.

Me këtë vendim, Franca jo vetëm nderon të kaluarën dhe figurat ikonike të muzikës elektronike, por edhe legjitimon këtë zhanër si një pjesë thelbësore të identitetit të saj kulturor bashkëkohor.

Related Posts