Në terrenet malore të Babaj i Bokës në Gjakovë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka zhvilluar stërvitjen fushore ushtarake “Ujku Shigjetë”, me qëllim testimin e gatishmërisë operacionale dhe validimin e kapaciteteve të njësive të këmbësorisë, raporton Telegrafi.

Gjatë ushtrimit, pjesëtarët e FSK-së realizuan skenarë të avancuar luftarake që simulonin përballjen me armikun në një luftim fushor, duke demonstruar mënyrat e identifikimit dhe neutralizimit të objektivit armik, përmes koordinimit të veprimeve tokësore dhe këmbësore.

Ushtrimi përfshiu manovrime taktike, pozicionime strategjike, përdorim të mbështetjes zjarrtare dhe lëvizje të sinkronizuara në terrene malore. Pamjet nga vendi tregojnë përfshirjen e mjeteve të blinduara dhe përdorimin e tymit maskues për avancim dhe mbrojtje, ndërsa njësitë këmbësore vepronin në koordinim të plotë për sigurimin e zonës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi lart profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së gjatë zhvillimit të ushtrimit.

“Pas një cikli të gjatë trajnimesh dhe përgatitjesh, sot Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë demonstroi shkathtësitë dhe aftësitë në të cilat është trajnuar gjatë ushtrimit fushor ‘Ujku Shigjetë’. Ky ushtrim, me shumë rëndësi për ushtrinë tonë, ka synim validimin e kapaciteteve të këmbësorisë së Regjimentit të Tretë, duke përmbushur një ndër objektivat kryesore të FSK-së: atë të validimit të të gjitha kapaciteteve të këmbësorisë, duke i mundësuar kështu ushtrisë sonë të kalojë në fazën e radhës për zhvillimin e saj”, deklaroi Maqedonci.

Ai falënderoi Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe të gjithë ushtarakët për angazhimin e pashembullt në përmbushjen e këtij objektivi të rëndësishëm, si dhe ekipet ushtarake të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve luftarake të Forcës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi gjatë këtyre viteve, ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në investimet në armatime, modernizim, personel, trajnim dhe infrastrukturë, me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të kapaciteteve tona ushtarake. Sot, edhe një herë, njësitet e ushtrisë sonë treguan profesionalizëm, disiplinë e përkushtim në realizimin e detyrave dhe dëshmuan gatishmërinë e vendosmërinë për të përmbushur misionin fisnik të ushtrisë sonë: mbrojtjen e territorit dhe jetës së qytetarëve tanë”, theksoi Maqedonci.

Sipas FSK-së, stërvitja “Ujku Shigjetë” është pjesë e procesit të validimit të njësive të këmbësorisë, që synon përgatitjen e plotë të Forcës për kalimin në fazën e ardhshme të zhvillimit të saj si ushtri moderne, profesionale dhe e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Related Posts