Fuqitë botërore kanë mbledhur 1 miliard dollarë, në një konferencë në Paris të enjten, për ta zbutur krizën humanitare në Liban dhe për ta përkrahur Ushtrinë libaneze, raporton “The Guardian”.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot i ka bërë thirrje Izraelit t’i dëgjojë thirrjet për armëpushim dhe të fokusohet në diplomaci.
Të enjten 70 delegacione qeveritare dhe 15 organizata ndërkombëtare u mblodhën në Paris për ta ndihmuar Libanin.
“Mesazhi (për Izraelin) është i thjeshtë: armëpushim!” – tha Barrot në konferencë për media. Ai ka përsëritur se një propozim franko-amerikan është ende në tryezë.
Ai ka thënë se mbi 800 milionë dollarë, përfshirë 300 milionë nga Washingtoni, janë mbledhur kryesisht për t’i ndihmuar afro 1 milion të zhvendosur nga Libani duke ofruar ushqime, kujdes shëndetësor dhe edukim.