Futbollisti i Turqisë, Irfan Can Kahveci, ka folur për fishekzjarrët e hedhura pranë hotelit të ekipit në Prishtinë gjatë orëve të para të së martës, duke theksuar se ngjarja nuk ndikoi negativisht te skuadra, përkundrazi i motivoi ata më shumë.
“Nuk na preku shumë. Ne prisnim gjëra të tilla. Ekipi ynë është një ekip i mirë, cilësor. Ata menduan se mund ta rrëzonin kombin turk, por kjo vetëm sa na motivoi më shumë. Ata nuk e njohin ose nuk e kuptojnë kombin turk”, u shpreh Kahveci për “Hurriyet”.
Mesfushori turk shtoi se synimi i ekipit është i qartë – fitorja dhe rikthimi në skenën më të madhe të futbollit botëror.
“Shpresojmë që do të fitojmë dhe t’u japim fund viteve të mallit”, tha ai.
Duke folur për mungesën e gjatë të Turqisë në Kupën e Botës, Kahveci ka theksuar se për disa lojtarë kjo ka qenë një ëndërr që nga fëmijëria.
“Disa prej nesh nuk kishin lindur ende kur kemi qenë për herë të fundit atje, për disa ishte një ëndërr fëmijërie. Mendoj se mund ta arrijmë këtë me këtë ekip. Jam krenar për këtë ekip dhe i dua shumë të gjithë”, përfundoi ai.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë pritet të nisë në orën 20:45, ndërsa Kahveci do të jetë në bankën rezervë.






















