Sipas studiuesve, nëse gërvishtja e brendshme e hundës dëmton indet, disa baktere të rrezikshme mund të kenë një rrugë më të lehtë drejt trurit. Trupi reagon ndaj tyre në mënyra që ngjajnë me shenjat e sëmundjes Alzheimer, ka raportuar Science Alert.
Studimi që u publikua në Scientific Reports në vitin 2022, u krye nga shkencëtarë të Griffith University në Australi, duke përdorur një bakter të quajtur Chlamydia pneumoniae. Ky bakter mund të shkaktojë pneumoni dhe është zbuluar në shumicën e trurëve të njerëzve me demencë të vonshme.
Te minjtë, studiuesit treguan se bakteret mund të udhëtojnë nga zgavra e hundës në tru përmes nervit të nuhatjes. Kur indi mbrojtës i hundës (epiteli nazal) dëmtohej, infeksioni përkeqësohej, duke çuar në depozitimin e proteinës beta amyloide, e njëjta proteinë që gjendet në sasi të mëdha tek pacientët me Alzheimer.
“Ne jemi të parët që tregojmë se Chlamydia pneumoniae mund të shkojë direkt nga hunda në tru dhe të shkaktojë dëmtime që duken si Alzheimer. E pamë këtë te minjtë, dhe provat janë potencialisht shqetësuese edhe për njerëzit”, ka thënë neuroshkencëtari James St John.
Infeksioni te minjtë ndodhi shumë shpejt, brenda 24 deri në 72 orëve. Studiuesit mendojnë se hundët mund të jenë “rrugë e shpejtë” për bakteret dhe viruset drejt trurit.
Ani pse ende nuk dihet nëse i njëjti proces ndodh te njerëzit apo nëse pllakat e beta amyloide janë shkaku i Alzheimerit, St John ka theksuar se studimet duhet të vazhdojnë.
“Ne duhet ta bëjmë këtë studim tek njerëzit dhe të konfirmojmë nëse kjo rrugë funksionon njësoj. E dimë që këto baktere ekzistojnë tek njerëzit, por nuk e kemi zbuluar ende si arrijnë atje”, ka thënë ai.
Futja e gishtit në hundë nuk është aspak e rrallë, disa studime sugjerojnë se e bëjnë deri në 9 nga 10 njerëz, si edhe disa kafshë. Por, studiuesit paralajmërojnë se “futja e gishtit dhe heqja e qimeve të hundës nuk është ide e mirë” për shkak të dëmit që mund t’i bëhet indeve mbrojtëse.
Një nga pyetjet që mbetet pa përgjigje është nëse depozitimi i beta amyloides është një reagim i shëndetshëm i sistemit imunitar, i cili zhduket pasi infeksioni largohet.
“Pasi kalon moshën 65 vjeç, rreziku për Alzheimer rritet ndjeshëm, por po shohim edhe shkaqe të tjera, sepse nuk është vetëm mosha, janë edhe faktorët e mjedisit. Dhe ne mendojmë se bakteret dhe viruset janë kritikë”, thënë St John.