Gazetari gjerman Michael Martens ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pah një mospërputhje të theksuar mes deklaratave zyrtare dhe realitetit të praktikës gjyqësore.
Në një postim në platformën X, Martens ka shpërndarë një video të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila deklaron se paraburgimi në këtë gjykatë nuk do të zgjasë më shumë se një vit. “Kemi ardhur në përfundimin se paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”, dëgjohet të thotë Trendafilova në video.
Por gazetari gjerman vë në pah se ky parim nuk është zbatuar në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej gati pesë vitesh, duke sfiduar premtimin publik të kryegjyqtares.
“Çka është gabim me këtë gjykatë, përveç thuajse gjithçka?”, shkroi Martens në postimin e tij, duke reflektuar zhgënjimin dhe kritikat që janë shfaqur gjithnjë e më shpesh ndaj Gjykatës Speciale për zvarritjen e proceseve dhe trajtimin e të paraburgosurve.
