Ambasada gjermane në Kosovë ka thënë se autoritetet e Serbisë duhet të bashkëpunojnë me Kosovën për zbardhjen e sulmit në kanalin “Ibër-Lepenc”, në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut.

Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ambasadë kanë thënë se Serbia duhet t’i përmbushë zotimet e saj për bashkëpunim të plotë.
Në Ambasadën Gjermane në Kosovë kanë thënë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Kosovën në funksion të hetimit të sulmit në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Prokuroria Speciale, në një përgjigje për KOHËN, ka treguar se ka dërguar kërkesë për bashkëpunim që nga fillimi i vitit, dhe se atë edhe e ka përsëritur. Por, Serbia nuk ka dhënë përgjigje.
Për këtë çështje Ambasada gjermane ka shprehur keqardhje.
“Koment për këtë çështje ka dhënë edhe Ambasada e Gjermanisë, e cila ka thënë se shteti fqinj i Kosovës duhet t’i përmbushë zotimet e tij. Ambasada Gjermane shpreh keqardhje pasi Serbia ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike, sa i përket sulmit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”. E theksojmë rëndësinë e përmbushjes së obligimeve të Serbisë dhe i inkurajojmë të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë dhe pa vonesa – kjo ka të bëjë me respektimin e marrëveshjeve të dakorduara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dëshmojë përkushtim për zbatimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.
Sipas kësaj ambasade, Zyra e BE-së në Kosovë është duke bërë përpjekje që të ketë bashkëpunim.
“E vlerësojmë në masë të madhe rolin thelbësor, që vazhdojnë ta luajnë kolegët tanë në Zyrën e BE-së me lehtësimin e procesit të ndihmës së ndërsjellë, duke u siguruar që procedurat të ecin përpara në mënyrë efektive”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Për këtë rast KOHA u është drejtuar me e-mail, më 4 qershor, edhe ambasadave të SHBA-së, Francës, Italisë dhe Zyrës së BE-së, por asnjëra nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, nga Ambasada Britanike në Prishtinë kanë thënë se BE-ja po e udhëheq këtë çështje, andaj pyetjet duhet t’i drejtohen asaj.
Më 29 nëntor 2024, kanali i “Ibër-Lepencit” u sulmua në Varagë të Poshtme të Zubin- Potokut, e sipas institucioneve të Kosovës, për këtë u përdorën rreth 20 kilogramë eksploziv.
Sulmi mbi infrastrukturën kritike është dënuar gjerësisht. Kosova e BE-ja e kanë quajtur terrorist, SHBA-ja të tmerrshëm e Britania të qëllimshëm.
Prokuroria Speciale ka arrestuar dy vëllezër serbë nga Zubin-Potoku, si të dyshuar për sulmin terrorist, të cilët ndodhen në paraburgim. Pas arrestimit të tyre Serbia, pati premtuar bashkëpunim në zbardhjen e këtij rasti, duke mohuar se ka rol në sulm.