Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Odës së Noterëve për shtyrje të ekzekutimit të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat Noteriale, ka bërë të ditur të premten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se Oda e ka refuzuar udhëzimin e ri të nënshkruar nga ajo, pavarësisht se ajo ka qenë e përfshirë në hartimin e tij.
Pas një procesi të gjerë konsultimesh, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, dhe në linjë me prioritetet tona qeverisëse, më datë 22.07.2022, kam nënshkruar Udhëzimin e ri Administrativ për Tarifat Noteriale, me të cilin ulen konsiderueshëm tarifat për shërbimet noteriale, si dhe lirohen në tërësi nga tarifat noteriale fëmijët pa kujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas. Me udhëzimin e ri nuk është pajtuar Oda e Noterëve e cila këtë udhëzim e dërgoi në Gjykatë, edhe pse e njëjta ishte e përfshirë në procesin e hartimit të tij. Gjykata e Themelore në Prishtinë sot e refuzoi si të pa bazuar propozimin për shtyrje të ekzekutimit të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat Noteriale”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar stafin e Ministrisë së Drejtësisë, për angazhimin e tyre në hartimin e udhëzimit, por edhe ne argumentimin para gjykatës.