Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar revizionin e paraqitur nga Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit në çështjen për kompensim të dëmit për shkak të shpifjes dhe fyerjes ndaj gazetarit G.D., të punësuar në portalin “UlpianaPress”.

Ahmeti kishte kërkuar që gazetari të detyrohej t’i paguante 10.000 € për publikime të datës 22 dhe 24 tetor 2018, të cilat, sipas tij, kishin cenuar dinjitetin dhe reputacionin e tij. Titujt e kontestuar ishin: “Pushteti i I.A., nuk ngopet shpenzon mijëra euro për dreka” dhe “Për tre muaj komuna e Lipjanit 30.000 € për ushqim e karburante”.

Gjykata Supreme, duke u bazuar në shqyrtimin e materialit, vlerësoi se i padituri nuk kishte qenë autor i publikimeve, por kishte transmetuar informacione nga burime të besueshme, përfshirë raportet e Organizatës “Polis” dhe gazetën “Koha Ditore”. Sipas gjykatës, kjo veprimtari është brenda kufijve të lirisë së shprehjes dhe informimit për çështje me interes publik.

Vendimi i Gjykatës Supreme është në përputhje me Ligjin Nr. 02/L-65 për Shpifjen dhe Fyerjen, si dhe me standardet e Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat mbrojnë publikimin e informacionit të besueshëm për debat publik, pa pasur përgjegjësi civile për shpifje kur nuk ka qëllim të keq.

Related Posts