Sërish, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara në Hagë që pritet ta marrin vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë refuzuar të gjitha provat që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur me dy vendime të ndara për provat e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, vendime të cilat i ka parë gazeta Nacionale.

Madje, në vendimin për provat e paraqitura nga Krasniqi, gjyqtarët duken të ‘nervozuar’ pse shumica e dëshmive të mbrojtjes, janë prova të krimeve serbe të kryera në Kosovë.

“Paraprakisht, Paneli vëren se një numër i konsiderueshëm i Provave të Propozuara shkojnë për të vërtetuar kryerjen e krimeve nga forcat serbe. Paneli deklaroi në mënyrë të përsëritur se krime të tilla nuk janë në diskutim dhe gjithashtu nuk janë në vetvete relevante për procedurat aktuale, përveç nëse mund të tregohet se ato lidhen me një fakt ose rrethanë materiale për këtë çështje. Pavarësisht këtyre indikacioneve të përsëritura, Mbrojtja ka vazhduar të kërkojë të ofrojë, ose të nxjerrë, prova të fakteve të tilla. Paneli kujton se barra e vërtetimit të rëndësisë, si me kushtet e tjera për pranim, i takon palës ofertuese. Prandaj është thelbësore që Palët dhe pjesëmarrësit të identifikojnë qartë në parashtrimet e tyre përfundimtare se në çfarë materiali mbështeten në lidhje me çështjen e tyre dhe çfarë vlere provuese dhe rëndësie i japin secilit artikull të tillë”, thuhet në këtë vendim të gjyqtarëve të Speciales, të cilët shprehen të pakënaqur pse avokatët e Krasniqit kanë prezantuar prova të krimeve serbe në Kosovë.

Si rezultat, të gjitha provat të cilat dëshmojë krimet e Ushtrisë e formacioneve tjera serbe në Kosovë, janë rrëzuar, pra nuk janë pranuar në proces.

“Duke iu kthyer Provave të Propozuara 2, 4, 6, 8, 9, 12, 13, 26, 31 dhe 34, Trupi Gjykues vëren pohimin e Mbrojtjes se ato pretendojnë të jenë provuese të krimeve të kryera nga shteti serb dhe formacionet paraushtarake, si dhe ilustrojnë tensionet ndërpersonale midis civilëve, shënjestrimin e shqiptarëve nga serbët dhe armatosjen e popullsisë civile nga shteti serb. Pasi i shqyrtoi këto pika, Trupi Gjykues vëren se ato pretendojnë të jenë relevante për të treguar krimet serbe dhe se Serbia po fabrikonte prova ose po manipulonte hetimet. Megjithatë, Trupi Gjykues kujton se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe në përgjithësi janë të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këto pika janë të lidhura në ndonjë mënyrë tjetër me ndonjë nga akuzat në Aktakuzë. Në mënyrë të ngjashme, Prova e Propozuar 16, e cila ofron një analizë krahasuese të kapaciteteve ushtarake të forcave serbe dhe të UÇK-së, nuk ka lidhje të dukshme me çështjen”, thuhet në këtë vendim.

Ngjashëm, me të njëjtën arsye, janë refuzuar edhe një pjesë e provave të paraqitura nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Me të njëjtin arsyetim. Për gjyqtarët, provat e krimeve serbe, janë të parëndësishme.

“ZPS-ja kundërshton Provat e Propozuara 9-15, 18, 20, 22-24, 26, 34, 35, 37 dhe 39-42 të Shtojcës. Në veçanti, ZPS-ja pohon se Provat e Propozuara 9 dhe 37 të Shtojcës 1 janë tepër të gjata dhe nuk jepet asnjë shpjegim që do të justifikonte pranimin e të gjitha faqeve.44 Lidhur me Provat e Propozuara 12, 13 dhe 17 të Shtojcës 1, ZPS-ja pohon se ato janë paraqitur pa faqe kopertine dhe janë dhënë informacione të paplota burimore. Pasi i shqyrtoi këto pika, Paneli vëren se të gjitha ato lidhen me krime të supozuara të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve etnikë ose listojnë viktima të krimeve të supozuara të kryera nga forcat serbe. Ndërsa këto pika kanë të bëjnë me vendet e listuara në aktakuzë (“Aktakuzë”), krimet ose faktet e përshkruara në të nuk janë ndryshe relevante për krimet e akuzuara në rastin aktual. Mbrojtja nuk ka arritur të shpjegojë rëndësinë e tyre për ndonjë fakt ose rrethanë të rëndësishme për këtë çështje. Prandaj, Paneli konstaton se Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë rëndësinë e këtyre Provave të Propozuara.”, thuhet në vendim.

Disa prej provave të cilat gjqytarët i kanë pranuar, ndërlidhen me kontekstin historik në Kosovë, fakt të cilin gjyqtarët e kanë vlerësuar si të rëndësishëm.

“Për më tepër, në lidhje me Shtojcën 1 Provat e Propozuara 1, 3, 19, 21, 23, 24, 26 dhe 29, Paneli konsideron se Mbrojtja e Thaçit nuk e ka artikuluar qartë rëndësinë e këtyre pikave, përveçse ka deklaruar se ato janë relevante për kontekstin historik të konfliktit të armatosur, ekzistencën e një konflikti të armatosur, ose lëvizjen e refugjatëve nga Shqipëria në Kosovë. Megjithatë, Paneli, duke ushtruar diskrecionin e tij, konsideron se sfondi historik mund të jetë paksa i rëndësishëm për çështjen, pasi ofron informacione mbi, ndër të tjera, bashkëveprimin midis figurave të ndryshme politike, përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe në Drenicë në vitin 1998. Është pritje e Panelit që Mbrojtja e Thaçit do të shpjegojë në detaje më të mëdha rëndësinë e këtyre pikave për çështjen e saj në dosjen e saj përfundimtare të gjyqit, ose në parashtrimet përfundimtare. Paneli është i kënaqur, me paralajmërimin e përmendur më sipër, se Shtojca Provat e Propozuara 1, 3, 17, 19, 21, 24 dhe 29 janë relevante për aspekte të caktuara të akuzave, si dhe për faktet dhe rrethanat materiale për çështjen”, thuhet në vendim.

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

Në parashtresat e publikuara të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së Mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, Mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

“Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, dhe Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

Related Posts