Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka qenë i ftuar në iftarin e organizuar nga imami i Xhamisë “Bedri Kamberi”, Labinot Maliqi, raporton Ekonomia Online.

Krahas Konjufcës, të ftuar kanë qenë edhe disa ambasadorë të QUINT-it, e ky iftar nga Konjufca është cilësuar si simbol i tolerancës ndërfetare në Kosovë.

“Po ishim këtu në iftarin e shtruar nga miku im Labinot Maliqi, imami i xhamisë ‘Bedri Kamberi’. Po bën aktivitete shumë të mira, të shkëlqyera që na bashkojnë, dhe ishim së bashku me ambasadorët e shumë vendeve mike të Kosovës. Bëmë iftar së bashku dhe mendoj se ngjarje të tilla janë të mirëseardhura, reflektojnë në shoqërinë tonë dhe në popullin tonë,” tha Konjufca.

Imami Labinot Maliqi theksoi rëndësinë e organizimit të iftarit dhe shprehu krenarinë për mikpritjen e të ftuarve, përfshirë drejtuesit institucionalë të Kosovës dhe ambasadorët nga shtetet mike.

“Jemi shumë të nderuar që kemi një iftar me miqtë tanë, të cilët udhëheqin institucionet e Kosovës dhe përfaqësues nga shtetet mike, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm për shtetndërtimin e Kosovës,” tha ai.

E veçanta e këtij iftari, sipas tij, ishte edhe prezenca e ambasadores së Izraelit.

“Kombi shqiptar ka dhënë një kontribut të madh në Luftën e Dytë Botërore duke mbrojtur jetën e mijëra hebrenjve, por njëkohësisht edhe gjatë luftës në Kosovë shumë figura të larta hebreje kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës dhe u jemi mirënjohës,” tha Maliqi.

Related Posts