Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Zona”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në Divjakë. Operacioni erdhi si rezultat i një hetimi gjashtëmujor të ndjekur me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.
Policia ka bërë të ditur se ka identifikuar dhe vënë në pranga 3 shtetas, 2 vëllezër bashkë-organizatorë të grupit dhe një pjesëtar të grupit.
Po ashtu bëhet e ditur se me dyshimin për pjesëmarrje në këtë grup, janë shoqëruar 10 shtetas të tjerë.
“Në kuadër të këtij operacioni: u arrestuan shtetasit A. P., 30 vjeç dhe M. P., 32 vjeç, vëllezër; u ekzekutua urdhri i Prokurorit, për ndalimin e shtetasit O. L., 31 vjeç; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Rr dhe S. B.; -më parë, gjatë periudhës hetimore, është vënë në pranga shtetasi E. T:, thuhet në njoftim.
Policia njofton tutje se janë sekuestruar dhjetëra doza kokainë, tri armë gjahu, një armë sportive, një armë e ftohtë, municion luftarak, dy peshore elektronike dhe shuma parash në euro dhe lekë të përfituara nga shitja e dozave.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup me organizatorë shtetasit A. P. dhe M. P., shitnin doza të lëndës narkotike Kokainë, në Divjakë.
“Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të individualizuar përgjegjësinë penale të 10 shtetasve të shoqëruar, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë pjesëtarët e grupit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit – Videos | Facebook