Gruda i çjerr ‘normalitetin e rremë’ qeverisë në detyrë, ua shpalos veprimet anti-ligjore dhe antikushtetuese
Deputeti i PDK-së, Perparim Gruda, në një intervistë në emisionin “Pressing”, çjerri edhe njëherë tentativën e qeverisë në detyrë Kurti dhe madje edhe veprimet e Presidentes Vjosa Osmani, duke ua argumentuar pikë për pikë shkeljet flagrante të rendit kushtetues dhe praktikës parlamentare në vend.
Gruda tha se sot shkoi në Kuvend pikërisht për të mos lejuar, siç e quajti ai, “tregimin e rrejshëm” që Vetëvendosja po tenton ta paraqesë para publikut – një narrativë që, sipas tij, synon ta paraqesë situatën si normale dhe kushtetuese, ndërsa faji ia atribuohet mungesës së opozitës.
Deputeti i PDK-së sqaroi se periudha mes zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re nuk lejon mbajtjen e seancave të tjera parlamentare. Sipas tij, mandati i Kuvendit gjatë kësaj faze është i kufizuar ekskluzivisht në procesin e zgjedhjes së qeverisë së re, pa hapsirë për seanca të ndërmjetme apo për trajtimin e çështjeve të tjera.
Ai gjithashtu argumentoi se komisionet parlamentare nuk mund të riformatohen ose të funksionojnë normalisht pa u ditur përbërja e qeverisë së ardhshme.
Deklarimi i Grudës ne “Pressing”:
“Unë shkova në Kuvend për mos ta lejuar Vetëvendosjen me shpërnda një tregim të rrejshëm sikur çdo gjë është normale dhe kushtetuese, por vetëm mungon opozita. Unë shkova me ia dhënë shpjegimet ligjore dhe jokushtetuese.
E para: Një Kuvend që bën pasi të kryhen zgjedhjet është zgjedhja e qeverisë së re – kurrgjë tjetër ndërmjet. Deri në zgjedhjen e qeverisë nuk ka seanca ndërmjet.
Komisionet parlamentare janë absurde sepse duhet të reflektojnë përbërjen e qeverisë. Ne s’e dimë ende përbërjen e qeverisë sepse nuk është zgjedhur qeveria. Tjetra është që s’mund të jetë në rend të ditës çështja e komisioneve. Pjesa tjetër është që e kishin sjellë një listë të ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Disa marrëveshje të cilat i ka sjellur Presidentja që kanë implikime financiare, nuk ka të drejtë me i bë. Ato i bën ekzekutivi – ne jemi Republikë Parlamentare në të cilën Presidenti nuk menaxhon buxhet shteti. I vetmi evropian është Franca ku sistemi gjysmëpresidencial i jep Presidentit rol ekzekutiv. Këtu s’ka rol ekzekutiv. Nuk mundet Presidentja të shërbejë si postë e qeverisë ‘hajt dërgoji ti sepse duket më legjitime’.
Unë mendoj që kjo ishte me nda kulaqin e propagandës ‘bëj ti pak propagandë anej, unë pak këndej’. Mbi të gjitha, kjo qeveri nuk guxon të procedojë ligje në Kuvend. Këtë e thotë qartazi ligji për Qeverinë: Qeveria në dorëheqje nuk mund t’i propozojë Kuvendit projektligje. Të vetmin përjashtim që e bën është në paragrafën dy të nenit 31, thotë: “Përjashtimisht, qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit buxhetin”. Por kjo nuk është qeveri në dorëheqje, kjo është qeveri në detyrë dhe ky përjashtim nuk vlen për qeverinë në detyrë. Kufizimet vlejnë për qeverinë në detyrë dhe në dorëheqje, përjashtimet vetëm për qeverinë në dorëheqje.”
























