Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, dhe ish-zëvendëssekretari i MINT-it, Irfan Lipovica, dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, si dhe Ridvan Muharremit në rastin e njohur si “Rezerva Shtetërore”.
Ata akuzohen për vepren penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Me këto veprime, katër të pandehurit ngarkohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, në vlerë prej afër 3 milionë euro.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.























