Lëvizja Vetëvendosje e ka sjellur të përkthyer një letër që kandidatja për presidente të ShBA-së, Kamala Harris i ka dërguar komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në letër vlerësohet se shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kotribut të thellë në strukturën e kombit amerikan.
“Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, me vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë për edukimin dhe angazhimin shoqëror. Nga pronarë të vegjël biznesesh në profesionistë të mjekësisë, ligjit dhe shërbimit publik, shqiptaro-amerikanët kanë luajtur një rol qendror për ekonomitë lokale dhe forcimin e themelit shoqëror të shumë qyteteve anembanë vendit”, ceket në letër.
Tutje nënvizohet se ShBA vazhdon ta mbështesë një Kosovë multietnike e demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
“Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë drejt mbështetjes së pavarësisë historike dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike e demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar”, ceket në letër që më poshtë po e sjellim të plotë.
Letër e hapur për komunitetin shqiptaro-amerikan:
Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të paçmueshëm për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke shfaqur përkushtim të thellë për familjen, komunitetin dhe rendjen drejt lirisë. Janë qindra-mijëra shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, qëndrueshmëria e komunitetit të së cilëve vazhdon të na frymëzojë të gjithëve.
Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, me vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë për edukimin dhe angazhimin shoqëror. Nga pronarë të vegjël biznesesh në profesionistë të mjekësisë, ligjit dhe shërbimit publik, shqiptaro-amerikanët kanë luajtur një rol qendror për ekonomitë lokale dhe forcimin e themelit shoqëror të shumë qyteteve anembanë vendit.
Për më shumë se një shekull – që nga Konferenca e Paqes së Parisit pas Luftës së Dytë Botërore – amerikanët dhe shqiptarët kanë pasur një lidhje të fortë. Edhe sot, shqiptaro-amerikanët e kujtojnë që kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u kanë qëndruar pranë në momente kyçe për pavarësinë e Shqipërisë. Unë dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s dhe i jam falenderuese Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon dhe për udhëheqjen e saj me Këshillin e Sigurisë të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal rus të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë drejt mbështetjes së pavarësisë historike dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike e demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
Këtu në shtëpi, i kuptoj sfidat e veçanta me të cilat përballen shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jam e përkushtuar ndaj politikave që ngrisin komunitetin shqiptaro-amerikan, ku përfshihen përpjekjet për një ekonomi të mundësive dhe mbrojtja e të drejtave civile të të gjithëve. Pjesëmarrja e shqiptaro-amerikanëve në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Sot ne mund t’i japim formë një të ardhmeje që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta. Faleminderit për gjithë kontributin tuaj për këtë vend të madh.