Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në paraqitjen para mediave, konfirmoi se seanca e jashtëzakonshme do të mbahet sot në orën 19:00,
Ajo tha se në këtë seancë do të ndahen komisionet parlamentare, teksa theksoi se LVV-së do t’i takojnë 9 komisione, PDK-së 3 dhe LDK-së 2.
“Grupet Parlamentare i ndajnë komisionet parlamentare. Kuvendi, pas miratimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme, që do të mbahet në orën 19:00, do t’i ketë 16 komisione parlamentare. Pra, ndarja e komisioneve është bërë sot në mbledhje të Kryesisë. Grupet Parlamentare do të njoftohen në seancën e sotme se kush kryeson dhe kush do t’i kryesojë këto komisione. VV do të kryesojë 9 komisione, PDK 3, LDK 2, Lista Serbe 1 dhe Grupi Multietnik 1 komision”, u shpreh Haxhiu.
Tutje, ajo tha se në këtë seancë do të jetë temë edhe ndarja buxhetore për muajin mars.
Po ashtu, kryetarja e Kuvendit tha se temë do të jetë edhe çështja me Rezolutën “që lidhet me procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së”.
“Sipas diskutimeve në Kryesi të Kuvendit, ka vullnet nga grupet parlamentare që kjo rezolutë të marrë mbështetjen e Kuvendit. Do të ketë paraprakisht një takim të përfaqësuesve të GP-ve për ta diskutuar më tej rezolutën. Por besoj që, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi për çështje të ndryshme, kur bëhet fjalë për luftën e drejtë të UÇK-së dhe në raport me proceset e padrejta që po ndodhin në Hagë, duhet të jemi të unifikuar dhe bashkë”, tha Haxhiu.























