Më pak se një orë pasi njoftoi anulimin e të gjitha takimeve me strukturat në Shkodër dhe u nis me urgjencë për në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka mbërritur në kryeministri.
Rama kishte planifikuar inspektimin e aksit rrugor Shirokë-Zogaj, një drekë me zyrtarë dhe kryetarë bashkish të PS si dhe takimin me strukturat në qarkun verior të vendit, por i anuloi vetëm pak minuta pasi agjentët e BKH arrestuan kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në zyrën e tij.
Mësohet se në PS ka pllakosur heshtja, ndërsa shefi i qeverisë gjatë rrugës nga Shkodra për në kryeqytet nuk ka komunikuar me askënd.
Në orën 16:00 do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit një mbledhje e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Kjo mbledhje është e përjavshme dhe ishte vendosur më herët por sot do të ketë një rëndësi të veçantë dhe pritet një adresim i mundshëm i situatës së krijuar pas arrestimit të Veliajt nga kryeministri Rama, raporton A2 CNN.
Arrestimi i Veliajt ndodh vetëm tre muaj para zgjedhjeve, me kryebashkiaku e kryeqytetit që ishte edhe një nga tre drejtuesit politik të qarkut të Tiranës.