Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu  ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të burgosen ose t’u merren mandatet për shkelje të Kushtetutës në rast të moszbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses për seancën konstituive të Kuvendit, e cila iu dha kohë deputetëve të Kuvendit që të funksionalizojnë këtë institucion brenda 30 ditëve.

Nëse Parlamenti nuk konstituohet brenda këtij afati, Kryeziu thotë se deputetët e zgjedhur, që 120 prej tyre, mund të burgosen me tre deri në gjashtë vjet burgim për shkelje të kushtetutës.

Ai shton po ashtu se të njëjtit, mund të humbasin mandatin e tyre.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është optimal, pra nuk është radikal. Ka prodhuar një moment të ri, ku në një farë forme iu ka thënë deputetëve që keni afat edhe 30 ditë të vazhdoni kështu. Çdo vendim, çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese është ligj, dhe ligji ka pasoja. Pasojat në bazë të kësaj, nëse nuk konstituohet vijnë në mënyrë automatike”, deklaroi Kryeziu në emisionin “DPT te Fidani”.

“E para është masa ndëshkuese administrative, që nënkupton revokimin apo humbjen e mandatit. E dyta është masa penale, ku Prokuroria Speciale ka për detyrë që të fillojë ndjekjen penale për shkak të cenimit të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe mosrespektimit të ligjit. Kjo vlen për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të kodit penal mund të burgosen prej 3 deri në 6 vjet burgim”, u shpreh ish-nënkryetari i Kushtetueses.

Related Posts