Me mobilizimin e rreth 50 mijë trupave në rajonin e Kurskut duhet të ishte një detyrë e thjeshtë për forcat ruse dhe koreano-veriore për të zmbrapsur ushtrinë ukrainase. Por kundërofensiva ruse dështoi që në ditën e dytë kur humbi një numër rekord ushtarësh.
Rreth 1,950 trupa ruse u vranë ose u plagosën dhe të paktën 28 tanke janë shkatërruar të hënën, njoftoi ushtria ukrainase ndërsa publikoi pamje të automjeteve të blinduara ruse teksa shkatërroheshin. Transportuesit e blinduar të personelit të ngarkuar me këmbësori u shkatërruan në “më pak se një orë luftim” pasi u futën në një fushë të minuar, raportoi gazeta Kyiv Post.
Pamjet që mbërritën nga fronti treguan gjithashtu kolona automjetesh të blinduara, secila me rreth 30 vetë, duke lëvizur njëra pas tjetrës mbi mina. Brenda të hënës u neutralizua një batalion i tërë, tha ushtria ukrainase.
Më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyqë njoftoi se Rusia ka dërguar rreth 50,000 trupa në rajonin e Kurskut, nga 11,000 që kishte fillimisht. Analistët ushtarakë besojnë se presidenti Valdimir Putin po synon të rimarrë territorin e pushtuar nga Ukraina në Kursk përpara se Donald Trump të marrë detyrën si president i ShBA-së në janar.
Në të njëjtën ditë kur u ratifikua traktati i mbrojtjes reciproke Rusi-Kore e Veriut, shefi i NATO-s Mark Rutte tha se bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak mes Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit po kërcënon jo vetëm Europën, por edhe rajonin e Indo-Paqësorit dhe Amerikën e Veriut.
Duke folur në krah të presidentit francez Emmanuel Macron, Rutte nënvizoi rreziqet që vijnë nga ndihma ushtarake e Koresë së Veriut dhe Iranit për Rusinë.
“Pas dorëzimit të municioneve dhe raketave balistike, Koreja e Veriut tani ka dërguar trupa për të luftuar dhe për të vdekur përkrah Rusisë në luftën e saj të paligjshme. Në këmbim, Rusia i ofron Koresë së Veriut financim dhe teknologji raketore. Këto raketa paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për në territorin e Shteteve të Bashkuara, për Europën, Indo-Paqësorin dhe më të gjerë.”
“Çdo ditë, ukrainasit vriten dhe plagosen nga dronët vdekjeprurës të projektuar dhe të furnizuar nga Irani. Në të njëjtën kohë, Kina mbështet ekonominë e Rusisë, mundëson industrinë e saj të mbrojtjes dhe përforcon narrativën e saj në mbarë skenën botërore.”
Rutte dërgoi këtë mesazh për administratën e ardhshme të ShBA-së dhenënvizoi rëndësinë e unitetit transatlantik dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.