Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 20:30 në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku një person ka rënë nga një ndërtesë në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit nga Policia e Kosovës,

 

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i dyshuari ishte nën urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar për veprën penale “vrasje e rëndë”.

“Bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, i dyshuari i cili po kërkohej me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar, për veprën penale vrasje e rëndë, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit policor, ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore”,thuhet në njoftimin e policisë.

Menjëherë pas incidentit, të dyshuarit i është ofruar ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku po trajtohet në gjendje të rëndë.

Policia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

drejtori i QKUK-së, Naser Syla, konfirmoi se pacienti është në trajtim intensiv dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.

“Po, është duke u trajtuar në QKUK, po kryhen ekzaminimet e nevojshme. Gjendja është jo stabile, bëhet fjalë për një politraumë të rëndë,” tha Syla.

Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…

 

 

Related Posts