Ai synon uljen e ekspozimit ndaj dritës, rregullimin e temperaturës trupore dhe nxitjen e relaksimit
Nëse e keni të vështirë të bini në gjumë, ndoshta keni hasur në rrjete sociale një trend të pazakontë që lidhet me gjumin. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “dush në errësirë”, një rutinë që përfshin larjen me drita të zbehta ose të fikura, zakonisht si pjesë e ritualit të mbrëmjes para gjumit.
Përkrahësit e këtij trendi thonë se dushi në errësirë qetëson mendjen, ul stresin dhe madje përmirëson cilësinë e gjumit. Ndryshe nga dushi i mëngjesit, i cili na ndihmon të zgjohemi dhe të marrim energji, ky ritual synon të reduktojë ekspozimin ndaj dritës, të rregullojë temperaturën trupore dhe të nxisë relaksimin duke e përgatitur trupin për gjumë.
Por a mundet vërtet dushi në errësirë t’ju ndihmojë të flini më shpejt dhe më thellë, apo është thjesht një ritual i këndshëm pas një dite të lodhshme? Ja çfarë thonë ekspertët.
A mund ta përmirësojë dushi në errësirë cilësinë e gjumit?
Chelsie Rohrscheib, neuroshkencëtare dhe eksperte e gjumit, thotë se ky ritual mund ta përgatisë trurin dhe trupin për gjumë, duke shkurtuar kohën e nevojshme për të rënë në gjumë dhe duke përmirësuar cilësinë e tij.
– Që truri të nisë procesin e gjumit, temperatura e trupit duhet të ulet pak, zakonisht rreth një gradë. Dushi i ngrohtë fillimisht e rrit temperaturën, por pas daljes nga dushi ajo bie shpejt. Ky proces imiton mekanizmin natyror që ndodh para gjumit dhe i dërgon trurit sinjal për të kaluar në gjendjen e fjetjes, shpjegon ajo.
Dushi në errësirë gjithashtu kufizon ekspozimin ndaj dritës, duke ndihmuar në ruajtjen e ritmit cirkadian – “orës biologjike” që rregullon ciklin gjumë-zgjim.
– Melatonina është hormoni që rregullon këtë ritëm dhe sinjalizon kur është koha për të fjetur. Drita e fortë e pengon prodhimin e saj, ndërsa drita e zbehtë e nxit. Prandaj dushi në errësirë mund të stimulojë lirimin e melatoninës, thekson Rohrscheib.






























