Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i rasteve të raportuara me Sindromën meningjeale ka shënuar rritje gjatë periudhës korrik-gusht në Kosovë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Infektologu, Hamdi Ramadani, në emisionin “Ditari”, shpjegoi se këtij virusi mund t’i referohen edhe si “kallje trunore”, derisa tregoi shenjat klinike që mund të shfaqen gradualisht, përcjell teve1.info.
“Meningjiti në aspektin mjekësor paraqet një pezmatim ose infeksion të cipave trunore, kurse në gjuhën popullore kjo quhet “kallje trunore”. Shenjat klinike janë të ngjashme me një grip që ne e quajmë “grip veror”. Pra, ekziston një simptomologji me temperaturë të lartë, shfaqet dhimbje e kokës në pjesën ballore, pastaj shfaqen të vjella dhe më vonë kur paraqitet simptomi që quhet “Meningjaro”, shtrëngohet pak qafa, fillon të ketë pengesa edhe në pamje. Këtë situatë mund ta quajmë edhe alarmante, prandaj të sëmurit duhet të shkojnë menjëherë në spitalin më të afërt”, deklaroi Ramadani në Tëvë1.
Më tej, Ramadani tregoi disa mënyra se si mund të shpërndahet ky virus i quajtur “Meningjit”.
“Kjo sëmundje është një lloj virusi i cili gjendet në personat e infektuar dhe ky virus bartet qoftë më ujë, qoftë më kontakt me shoqëri, me familje, apo me këdo qoftë tjetër”.
Meningjiti është një lloj sëmundje që vepron me anë të baktereve dhe prek membranat që rrethojnë trurin dhe shtyllën kurrizore.