Gjatë këtyre muajve të 2025-s kanë vdekur 9 qytetarë gjatë aksidenteve në vendin e punës. Punonjës të sektorit privat vazhdimisht janë ankuar për mungesë inspektimesh në punishtet në ndërtimtari, në të cilat rrallë aplikohen masat mbrojtëse që kërkon ligji. E, në Inspektoratin e Punës nuk treguan nëse është marrë ndonjë masë pas aksidenteve të fundit me fatalitet, por u ankuan për mungesë kapacitetesh.

Institucionet nuk janë aktivizuar, pavarësisht se gjatë 100 ditëve të para të 2025-s kanë vdekur 9 persona nga aksidentet në punë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka cilësuar këtë vit si më të pasigurtin për punëtorët.

“Nga paslufta, në bazë të të dhënave statistikore që i kemi është viti më i dhimbshëm dhe ma i rëndë. Në këtë periudhë tremujore e gjysmë, me këtë numër kaq të madh të vdekjeve në vendin e punës nuk ka ndodhur dhe nuk e kemi pasur asnjëherë, e që domethënë tani jemi më keq se në vitin 2000, tani jemi më keq se në vitin 2010, 2020 dhe të gjitha vitet paraprake”, ka thënë Azemi.

Punonjës të sektorit privat vazhdimisht janë ankuar për mungesë inspektimesh në punishtet në ndërtimtari, në të cilat rrallë aplikohen masat mbrojtëse që kërkon ligji.

E, në Inspektoratin e Punës nuk treguan nëse është marrë ndonjë masë pas aksidenteve të fundit me fatalitet, por u ankuan për mungesë kapacitetesh.

“Disa nga vështirësitë janë numri jo i mjaftueshëm momentalisht i inspektorëve, mungesa e trajnimeve adekuate për vendin e punës së punonjësve të subjekteve dhe problematika të ngjashme. Aktualisht, numri i inspektorëve të punës është 63. Po ashtu, Inspektorati Qendror i Punës është duke zhvilluar edhe procedura të rekrutimit edhe për 59 inspektorë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Eksperti i sigurisë në vendin e punës, Arian Ibishi, ka bërë thirrje që me urgjencë të rritet numri i inspektorëve, pasi ka theksuar se pasojat në vendet e punës janë rezultat i mungesës së mbikëqyrjes dhe zbatimit të masave të sigurisë.

“Të gjitha kompanitë dhe investitorët nuk i kushtojnë rëndësi çështjes së sigurisë, nuk i kushtojnë rëndësi trajnimit për çështjen e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe kjo po vjen me pjesën e fatalitetit dhe aksidenteve në vendin e punës”, është shprehur Ibishi.

Edhe kryesindikalisti Azemi, një pjesë të fajit për aksidentet në vendin e punës ia lë Inspektoratit.

“Në radhë të parë janë pronarët e kompanive dhe e dyta është që inspektorati nuk po i kryen detyrat dhe punën për të cilën paguhen. Fakti që ne dalim në terren dhe shohim… mund të shohim edhe në periferi të Prishtinës, ku me qindra punëtorë punojnë nëpër ndërtesa të larta. Ata punëtorë nuk kanë pajisje adekuate, ta bëjnë me dije që ai inspektorat i punës, por edhe pronarët e kompanive nuk po merren më të”, ka theksuar Azemi.

Sipas statistikave të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, në tetë vjetët e fundit në Kosovë kanë humbur jetën 140 punëtorë në vendin e tyre të punës.

Related Posts