Kur kanë kaluar disa orë nga marrëveshja SHBA-Iran për një armëpushim dyjavor, kanë filluar lëvizjet e transportit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Por, të dhënat kanë treaguar numër të vogël të lëvizjeve në këto orët e para.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë në një deklaratë se Teherani do të pushojë kundërsulmet dhe do të sigurojë kalim të sigurt përmes rrugës ujore në Ngushticën e Hormuzit, nëse ndalojnë sulmet kundër tij.

Të mërkurën në mëngjes, ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se “kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me forcat e armatosura të Iranit”.

Kurse, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit e ka përshkruar marrëveshjen si një fitore ndaj SHBA-së, duke pretenduar se Trumpi kishte pranuar kushtet e Iranit për t’u dhënë fund armiqësive.

Ndërkaq, Trumpi i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve AFP se ishte një “fitore totale dhe e plotë”.

“Armëpushimi është një hap i parë i domosdoshëm, por nuk do të thotë që transporti tregtar normalizohet menjëherë në korsitë ndërkombëtare të trafikut në Ngushticë”, ka thënë Charlie Brown, këshilltar i lartë për ndjekjen e flotave të errëta në United Against Iran dhe ish-oficer i Marinës së SHBA-së, raporton CNN.

Related Posts