Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ka komentuar përplasjet e fundit mes ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa.
Duke folur për gazetën “Bota sot”, Lauka ka kritikuar Mustafën, duke thënë se i ktheu në pushtet partitë politikë të PAN-it me ndihmën e ish-presidentit Hashim Thaçi, duke braktisur frymën dhe mesazhin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Sipas tij, Osmani përfaqëson frymën dhe mesazhin politik të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Lauka ka theksuar se LDK-ja është kthyer në një parti që zgjedhësit vështirë t`i zënë më besë.
“Në gjykimin tim, Vjosa Osmani përfaqëson frymën e 6 tetorit 2019 dhe mesazhin politik që përçuan ato zgjedhje. Përkundrazi, LDK, duke braktisur frymën dhe mesazhin e tyre, është kthyer në një parti që zgjedhësit vështirë t`i zënë më besë. Mandati politik që iu dha LDK-së dhe VV-së nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte çkapja e shtetit dhe që partitë e PAN-it të kalojnë në opozitë. Nëpërmjet makinacioneve të tij me ish-presidentin, Isa Mustafa i ktheu ato përsëri në pushtet”, ka thënë ish-ambasadori Lauka.
Ish-ambasadori ka folur edhe për postin e presidentit, duke thënë se ai duhet të zgjidhet nga një shumicë tjetër parlamentare. Kjo pas sipas tij, koalicioni qeverisës i tanishëm nuk “përfaqëson legjitimitetin”.
“Sa i takon presidentit të ri, mendoj se zgjedhja e tij duhet bërë nga një shumicë tjetër parlamentare. Koalicioni i tanishëm që pretendon të ketë shumicën (gjë që është shumë e diskutueshme), nuk është legjitim. Ligjshmëria nuk garanton domosdoshmërisht legjitimitet, në kuptimin që qytetarët ta mbështesin qeverinë me bindje”, është shprehur më tej Lauka.
Si zgjidhje të vetme për situatën e rëndë politike në të cilën gjendet vendi, Islam Lauka i sheh zgjedhjet e reja.
“Zgjedhjet te reja parlamentare janë e vetmja zgjidhje për situatën e rëndë, në të cilën ndodhet sot Kosova dhe shpresa e vetme për të kthyer ligjshmërinë bashkë me legjitimitetin e munguar”, ka shtuar për “Bota sot” ish-ambasadori shqiptar.