Ish-deputeti I partisë “Guxo”, Burim Meta, i ka reaguar ish-kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, i cili mbrëmë duke folur për Presidenten Vjosa Osmani, tha se “do duhej të heqë dorë nga shetitjet dhe të merret me punët e shtëpisë”, duke e lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend.
Meta ka thënë se Mustafa duhet të merret me “nipat e mbesat”, meqë sipas tij, “çdo deklaratë e tij vetëm e kujton opinionin publik për dëmin që i ka bërë Kosovës”.
“Sot, kur Presidentja Vjosa Osmani ka mbështetjen e 81% të qytetarëve për një mandat të dytë sipas IRI (Instituti Republikan Amerikan) e kur përfaqësues ndërkombëtar deri te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s na tregojnë sa respektohet Presidentja jonë në botë, Isa Mustafa nuk ka më as mbështetje publike, as dinjitet politik”, ka shkruar Meta.
Mustafa deklaroi mbrëmë se Presidentja do duhej të punojë për të gjetur rrugëdalje për bllokadën në Kuvend.
“Situata, veçmas te zgjedhja e kryeparlamentarit, sa i përket zgjidhjes që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 mund të zvarritet në pafundësi. Nga kjo situatë dilet me zgjidhje politike e jo me norma juridike. S’mund të flas se cili është autoriteti i presidentes tek subjektet politike tani, duke e pasur parasysh se ajo ka qenë tepër e lidhur me VV-në deri në fund të vitit të kaluar. Por do duhej të heqë dorë nga shetitjet dhe të merret me punët e shtëpisë”, tha Mustafa.