Haxhi Avdyli
Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani përkrahësi i Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli i ka reaguar kandidatit për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt, lidhur me deklaratën e tij.
Hoxhaj në një konferencë për media, sot u shpreh se koalicioni i Osmanit me kreun e VV-së është koalicion për poste e karrige.
“Vjosa Osmani thjesht aderoi në Vetëvendosje, tregoi që ky koalicion është për poste për karrige, diçka që të dytë e kanë kundërshtuar”, tha ai.
Në reagimin në Facebook, Avdyli i ka rikujtuar Hoxhajt marrëveshjet e nënshkruara nga PDK-ja për koalicionet qeverisëse.
Ai ka thënë se në marrëveshjet e bëra kanë ndarë jo vetëm postet politike, por edhe bordet e ndërmarrjeve publike, ambasadorët, etj.
Postimi i plotë:
Ky ushtruesi i ushtruesit të detyrës të kryetarit të PDK-së, po flet për qytetarët e poste, derisa çdo koalicion që kanë bërë, në të gjitha pikat e marrëveshjeve deritashme i kanë të shkruara jo vetëm për postet Qeveritare, por aty në marrëveshjet me LDK(2014) dhe PAN ( 2017) ua gjen edhe ndarjen e posteve si bordet e ndërmarrjeve publike, ambasadorët e agjencione të pavarura shtetërore. Aty në letra vetëm terminalet dhe tallin për asfaltin s`ua gjeje të shkruara. E sot marrëveshja politike mes Albin Kurtit e Vjosa Osmani, nëse e lexon me vëmendje flasin vetëm për parimet për qeverisjen e ardhshme, për orientimin e Kosovës, luftën kundër korrupsionit, ç`kapjen, zhvillimin ekonomik e shëndetësi e arsim më cilësor. Epoka e koalicioneve pas Albinit e Vjosës s`do jetë e njëjtë . Është vendosur një standard i ri. Standarde të parimeve e orientimeve për një Qeverisje të mirë, e jo ndarje të çifligjeve e feudeve siç i bënin këto parti të së kaluarës. #Kosova #kashpresë