Bujari Haradinaj ish-ushtari i UÇK-së ishte këtë të hënë në “People” në Euronews Albania ku ka treguar rreth luftës së zhvilluar në Kosovë.
Bujari ka treguar gjithashtu një moment ku Ramush Haradinaj, tashmë kreu i AAK-së në Kosovë, ka rrezikuar jetën pasi ishte i plagosur në gjendje shumë të rëndë.
“Ne na ishte ndërprerë komunikimi. Ramushi ishte i plagosur rëndë, nëse do kishte kaluar edhe një orë, Ramushi do kishte ndërruar jetë atë ditë. Nga ora 7 në mbrëmje u ndalën të shtënat. Ne dolëm dhe pamë që forcat serbe kishin lëvizur në heshtje. Ne nuk i dëgjonim më dhe as nuk i pamë më. Me zor jemi dëgjuar me të tjerët në shtëpitë e tjera dhe kemi shkuar gradualisht duke u bashkuar.
Ishte një mur diku 1 metër e gjysmë dhe ishte problem që Ramushi duhet të kalonte. Ata nga ana tjetër nuk e dinin që Ramushi ishte i plagosur, unë mundohesha ta shtyja por s’kishe ku ta kapje,s e ishte i plagosur rëndë. Ai më tha veç më shty andej. Janë bashkuar gjithë familjadhe u munduam të dilnim nga rrethimi, fatmirësisht ishin larguar forcat serbe dhe ne kemi arritur ta shoqërojmë Ramushin deri në Jabllanicë ku kemi thirrur një mjek dhe i ka dhënë ndihmën e parë”,-tha ish-ushtari i UÇK-së.