Ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike, Jamie Shea, ka deklaruar se nuk dëshiron të largohet nga jeta pa parë Kosovën si anëtare të NATO-s. Ai vlerësoi se fushata ajrore e NATO-s në vitin 1999 ishte e drejtë dhe e nevojshme, pavarësisht vështirësive dhe komplikuarive që shoqëruan ndërhyrjen.

“Nuk ka qenë e lehtë as të arrihej konsensusi për ta bërë një gjë të tillë dhe operacioni ushtarak ka qenë i vështirë dhe i komplikuar siç e din secili në Kosovë. Por 27 vjet më vonë, unë mendoj se ishte gjëja e duhur për ta bërë. Ishte e nevojshme…”, tha Shea në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Ai shtoi se NATO-ja duhet të tregojë më shumë imagjinatë për të ardhmen e Kosovës.

“Do të isha sigurisht shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën si pjesë të NATO-s dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Mendoj se Aleancës së NATO-s i duhet më shumë imagjinatë kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk mund të lejojmë që çështja e mosnjohjes nga disa aleatë tanë që ta bllokojë progresin. Në vështrimin tim, nuk ka ndonjë arsye që Kosova mos të jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe”, tha Shea.

Related Posts