Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë takuar të enjten në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, por edhe asaj që deri tani njihej si “mini-Shengeni” ballkanik, por që tani pritet të marrë një emër të ri.
Përmes një deklarate Rama tha se “Jam në qëndrim absolutisht të kundërt me Kosovën”.
E për këtë fjali të Ramës ka reaguar ish-zyrtari në Ministrinë e Integrimeve, Demush Shasha, i cili thotë se kjo deklaratë pasqyron saktë nivelin më të ultë të bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë ndonjëherë, raporton Zeri.info.
“Lëre që Rama ka vazhduar të godas Kosovën për shkak Mini-Shengenit, por Rames nuk i shkoj as mendja që të adresoj atë që Komiteti i Helsinkit cilësoj spastrim etnik i shqiptarëve nga Serbia përmes masave administrative ne Luginën e Preshevës. Pra për të thënë ndryshe për Ramën, para njohjes së Kosovës nga Serbia, vije suksesi i Mini-Shengenit. Para spastrimit etnik të shqiptarëve në luginë, vijnë interesat politik dhe ekonomik të Serbisë”, thotë Shasha përmes këtij reagimi.
Ai thekson se “përtej kësaj, fakti që dy vite pas lansimit të iniciativës në takimin e Shkupit refuzuan të marrin pjesë gjysma e vendeve të Ballkanit dhe TË GJITHË akterët të rëndësishëm ndërkombëtar tregon çdo gjë për fatin e kësaj iniciative”.
“Jo vetëm aq, por dy vite pas lansimit të iniciativës pjesëmarrësit nuk mund të dakordohen as për emrin e iniciativës. Kjo është çfarë ndodh kur bashkëpunimi rajonal shndërrohet në cirkus politik”, thuhet në reagimin e tij.
Tutje Shasha thotë se as shtatë zotimet që u bënë në Samitin e Tiranës më 2019 nuk janë përmbushur.
“Sa i përket kredibilitetit të zotimeve të sotme të Vuçiq-Rama-Zaev, ia vlen të shikosh se çfarë ka ndodhur me shtatë zotimet e Samitit të Tiranës të bëra na tetor 2019. Nga total prej shtatë zotimeve konkrete, ASNJË prej tyre nuk është përmbushur. Sa për kujtim psh. pjesëmarrësit ishin zotuar në Tiranë se deri në fund të vitit 2020, do të sigurojnë funksionalizimin e sistemit të lëvizjes së lirë të mallrave. Sot thanë që e arrijnë këtë deri 2023-en. Këtij zotimi më as ata vet nuk i besojnë”, thekson Shasha.
Ai potencon se “mini-shengeni”prej fillimit nuk i ka mbushur tri elementet kyçe.
“Dhe kjo nuk është për tu habitur. Ky ishte fati i iniciativës Mini-Shengenit që nga fillimi. Që një iniciativë rajonale të këtë sukses ajo duhet të përmbush minimalisht 3 elementet kyçe: (1) të këtë gjithëpërfshirje politike, (2) të këtë fonde për të implementuar projektet rajonale, dhe (3) të këtë strukturë administrative që do monitoroj zbatimin e zotimeve politike. Iniciativa e MIni-Shengenit nuk ka përmbushur, dhe nuk përmbush, asnjërin nga këto 3 kritere bazë”, deklaron ai.
Ish-zyrtari në Ministrinë e Integrimeve ka përgëzuar Kosovën që ka mbetur konsistente në politikën e saj të jashtme, duke zgjedhur procesin e Berlinit, para aventurës së Mini-Shengenit.
“Rrjedhimisht, në gjithë këtë kontekst, Kosova ka bëre mirë që ka mbetur konsistente në politikën e saj të jashtme, duke zgjedhur procesin e Berlinit, para aventurës së Mini-Shengenit. Procesi Berlinit gëzon pjesëmarrjen e jo vetëm të gjitha vendeve të Ballkanit, por edhe të gjitha vendeve më të fuqishme të BE-së, të kryesuara nga Gjermania. Prandaj, për Kosovën zgjidhja në mes Gjermanisë dhe Serbisë, çdo herë do jetë një zgjidhje e lehtë”, përfundoi ai.