Ish-sulmuesi i Ligës Premier, Dave Kitson, ka zbuluar se ai ishte autori i pseudonimit “Futbollisti Sekret”, me të cilin shkroi artikuj dhe libra gjatë karrierës së tij si lojtar, pa e bërë publik identitetin.
Në një seri artikujsh dhe librash, ai përshkroi në detaje ngjarjet prapa skenave në futbollin e nivelit të lartë, duke trajtuar tema që nga transferimet dhe kontratat, deri te jeta e përditshme e futbollistëve profesionistë.
Për vite me radhë, tifozët janë përpjekur të zbulojnë se kush fshihej pas këtij emri, ndërsa tani vetë Kitson ka konfirmuar se ai ishte autori, shkruan Goal.com.
Një fenomen që tronditi botën e futbollit
Seria “Futbollisti Sekret” ngjalli kuriozitet të madh në publik, ndërsa lexuesit u mahnitën nga informacionet që zbuloheshin në rubrikën javore të gazetës, e cila shpesh hidhte dritë mbi anët e errëta dhe frustruese të futbollit profesional.
Nën këtë pseudonim janë botuar pesë libra, disa prej të cilëve në formë kujtimesh. Misteri rreth identitetit të autorit nxiti debate të shumta dhe madje u krijuan edhe grupe në internet, ku njerëzit përpiqeshin të zbulonin se kush ishte “Futbollisti Sekret”. Tani, Kitson i ka dhënë fund këtij misteri.
Kitson u bë i njohur duke luajtur për Cambridge United dhe Reading, me këtë të fundit duke garuar edhe në Ligën Premier, pasi klubi theu rekordin e Championship me 106 pikë në sezonin 2005/06. Më pas ai luajti për Stoke City, Portsmouth, Sheffield United dhe Oxford United, përpara se ta përfundonte karrierën në vitin 2015.
“Ishte argëtuese, pastaj u kthye në ankth të madh”
Duke folur në podkastin Liberty Rock Sport, Kitson zbuloi publikisht identitetin e tij.
“Unë jam ‘Futbollisti Sekret’. Nuk e kam thënë kurrë më parë me zë të lartë. Ideja më erdhi kur isha i pakënaqur me drejtimin që po merrte futbolli dhe kisha nevojë për një rrugëdalje për shëndetin tim mendor”.
“Kam shkruar që kur isha fëmijë. Është një pasion. Doja të bëhesha shkrimtar udhëtimesh. Të shkruarit ishte kënaqësi për mua. Më ndihmonte të përpunoja atë që po ndodhte në futboll. Nuk ishte me qëllim për të kritikuar njerëzit, por për të shpjeguar se çfarë po ndodhte në industri dhe pse”, shpjegoi Kitson.
“Shkruaja dhe i lija njerëzit të formonin mendimet e tyre. Ishte argëtuese për një kohë, por më pas shkaktoi shumë ankth. Kisha një karrierë dhe një kontratë të madhe. Nëse do të zbulohej identiteti im, do të më kishin pushuar nga puna dhe ndoshta do të më kishin përjashtuar”.
“Sot të gjithë kanë një podcast apo një mënyrë për t’u shprehur. Atëherë ishte diçka krejtësisht e re. Besoj se ndikoi në ndryshime të rëndësishme në nivelet më të larta të futbollit dhe për këtë jam krenar. Por stresi dhe ankthi ishin të jashtëzakonshëm”, pranoi ai.
Tragjedia që ndryshoi gjithçka
Kitson tregoi gjithashtu se vdekja e Gary Speed në vitin 2011 ndikoi drejtpërdrejt në vendimin e tij për të ndaluar së shkruari si “Futbollisti Sekret”.
Speed, ish-mesfushor i Leeds, Newcastle dhe Bolton, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në moshën 42-vjeçare.
“Gjëja më e rëndë ishte kur shkrova një rubrikë për shëndetin mendor me titullin ‘Ndonjëherë pas dritës ka errësirë’. Në atë kohë askush nuk fliste për shëndetin mendor në futboll. Nëse e përmendje, konsideroheshe i dobët. Shkrova se kishte një epidemi të problemeve të shëndetit mendor dhe paralajmërova se ishte vetëm çështje kohe para se dikush të merrte jetën e vet”.
“E dërgova tekstin të premten, u publikua të shtunën dhe të dielën Gary Speed u gjet i vdekur. Nga ai moment, të qenit Futbollisti Sekret nuk ishte më argëtuese”, përfundoi ai.
Sot, pas përfundimit të karrierës si futbollist, Kitson ka punuar si analist, por kryesisht angazhohet si folës motivues në fushën e shëndetit mendor.
Në vitin 2020, ai i kërkoi falje Raheem Sterling, pasi dy vite më herët kishte sugjeruar se ish-ylli i Manchester Cityt e kishte “bërë veten shënjestër” të racizmit.
“Ndoshta jam shprehur në mënyrë të ngathët dhe për këtë kërkoj ndjesë. Por unë kurrë nuk kam toleruar dhe nuk do të toleroj asnjë formë racizmi. E admiroj Raheemin që e mori përsipër betejën dhe tha: ‘Jo, nuk do ta toleroj.’ Pajtohem plotësisht me të”.
“Duhet bërë më shumë. Dhe unë jam i gatshëm të kontribuoj. Nëse ai apo dikush tjetër dëshiron të flasë me mua për këtë dhe për atë që kam ndërmend të bëj, jam më shumë se i hapur për dialog”, kishte deklaruar Kitson në atë kohë.

































