Izet Mexhidi, zëvendëskryeministër në qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kandidat për kryetar të komunës së Çairit, në emisionin Debat Plus ka thënë se për 15 muaj kanë punësuar mbi 2000 shqiptarë.
“Ne kemi punësuar brenda këtyre 15 muajve mbi 2 mijë shqiptarë në administratën shtetërore dhe publike,” ka thënë ai.

Ai ka theksuar se një nga akuzat që i janë drejtuar VLEN-it është për degradimin e gjuhës shqipe.
“E para ka qenë që po degradohet gjuha shqipe. Ta kemi të qartë, në Maqedoni nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe; është ligji i gjuhëve të 20%-it dhe nëse i merr të AKI-së t’i pyesësh, Zijadini dhe Arben Taravari kanë bërë fushatë kundër këtij ligji… As për së afërmi nuk është gjuha shqipe e barabartë me maqedonishten siç është gjuha serbe në Kosovë, mirëpo ky është realiteti,” ka thënë ai.

Më tej, Mexhidi ka deklaruar se ligji i gjuhëve është i paprekshëm ashtu siç është, por se gjuha shqipe ende nuk e ka statusin që meriton. Ai ka shtuar se për përmirësimin e gjendjes duhet të bëhet një ligj i ri dhe gjithëpërfshirës.
“Ta bëjmë një ligj tamam si duhet, ta bëjmë gjuhën shqipe si gjuhën serbe në Kosovë, sepse këtu janë 3-4% serbë, ndërsa ne atje jemi 30%,” ka thënë ai.

Sa i përket punësimeve, Mexhidi ka theksuar se e kanë sfiduar BDI-në duke zgjedhur vitin më të suksesshëm të saj për përfaqësim, që të bëhet krahasimi me vitin e qeverisjes së VLEN-it.
“Viti më i suksesshëm i tyre mund të jetë diku me 700 shqiptarë të punësuar në administratën shtetërore dhe publike, ndërsa ne i kemi kaluar 2000. Kemi marrëveshje për 800 avancime të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike,” ka theksuar ai.

Related Posts