Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot gjatë ditës në një takim zëvendës Komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara në Napoli, Gjenerallejtënant Peter K. Scott, të cilin ndër tjerash, Jashari e ka njoftuar rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në rajon dhe në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Pos kësaj, Jashari e ka informuar Scott, për të arriturat e FSK-së në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT).
Njoftimi i plotë:
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari pret në takim Zëvendës Komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara në Napoli, Gjenerallejtënant Peter K. Scott.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot në takim Gjenerallejtënant Peter K. Scott, Zëvendës Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara në Napoli (DCOM JFCNP). Fillimisht Gjeneral Jashari e informoi Gjeneralin Scott mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe në Republikën e Kosovës.
Pastaj Gjeneral Jashari e njoftoi Gjeneralin Scott për të arriturat e FSK-së në harmoni me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT). Gjithashtu Gjeneral Jashari e informoi atë mbi zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së në fushat funksionale luftarake drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të FSK-së.
Po ashtu Gjeneral Jashari theksoi kontributin e FSK-së në arenën ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe sigurisë duke përfshirë dislokimet e FSK-së jashtë vendit. Në takim u diskutua për mbështetjen e FSK-së për Ukrainën në linjë me objektivat e NATO-së dhe shteteve anëtare. Më specifikisht Gjeneral Jashari e informoi Gjeneralin Scott për kontributin e FSK-së në trajnimin e trupave të Ukrainës, për detyrat luftarake në operacionin “INTERFLEX” dhe trajnimin e kontingjenteve të Ukrainës në EOD. Gjeneral Jashari shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimin në mes të FSK-së dhe KFOR-it.
Gjenerali Scott përgëzoi Gjeneral Jasharin për punën dhe angazhimin në ngritjen dhe avansimin profesional të FSK-së. Gjithashtu ai falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës. Në fund të takimit të dy gjeneralët u pajtuan që në të ardhmen të rrisin më tutje bashkëpunimin.