“Përshpejtimi i rritjes dhe ngadalësimi i inflacionit në vitin 2024 e bëjnë të qartë se Kosova po ecën në drejtimin e duhur… Për ta vënë këtë në perspektivë, analiza e stafit të FMN-së tregon se nëse Kosova dëshiron të arrijë gjysmën e standardeve të jetesës së vendeve të Evropës Perëndimore brenda 20 vjetëve, do t’i duhet të mbajë një normë të qëndrueshme rritjeje prej 4 për qind në vit”, ka thënë drejtori i Departamentit për Evropë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer
Në javën kur Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi raportet e Perspektives Ekonomike, një delegacion i tij qëndroi në Prishtinë me porosinë që Kosova ka shënuar rritje ekonomike ndërsa inflacioni ka rënë. Në një intervistë për KOHËN, drejtori i Departamentit për Evropë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, ka sqaruar se çka do të thotë për qytetarët e Kosovës rritja prej 4 për qind. Me këtë trend, sipas tij, Kosovës do t’i duheshin 20 vjet për të arritur gjysmën e standardit jetësor të vendeve të zhvilluara evropiane. Kammer ka folur edhe për rritjen e pagave në sektorin publik dhe dallimin e mesatares me sektorin privat. “Te vendet në zhvillim mesatarja e pagave të sektorit publik ndaj sektorit privat pritet të jetë më e lartë se në ekonomitë e përparuara”, ka thënë ai. Drejtori i FMN-së për Evropën ka thënë se shpenzimet për paga Kosova i ka në linjë me vendet me nivele të ngjashme të të ardhurave, por këtë trend nuk e mban kur bëhet fjalë edhe për shpenzimet sociale, si shëndetësia e arsimi. Kammer ka folur fillimisht për raportin e fundit të FMN-së – Perspektiva Ekonomike Evropiane, duke analizuar se pse Evropa në shekullin XXI ka mbetur prapa.
KOHA: Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar Perspektivën Ekonomike Evropiane ditë më parë. Si po ia del kontinenti i vjetër ekonomikisht, duke pasur parasysh trajektoren e fundit të tij si dhe sfidat që ka brenda vetes, por edhe hapat e mëdhenj inovativë dhe teknologjikë në Lindjen e Largët dhe në Shtetet e Bashkuara?
Kammer: Rimëkëmbja e shumëpritur e Evropës pas një sekuence tronditjesh të paprecedent është duke ndodhur. Ne parashikojmë avancim të rritjes vitin e ardhshëm edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, por do të jetë përmirësim i moderuar. Në raportin tonë të publikuar së fundmi e kemi karakterizuar rimëkëmbjen e Evropës të tillë që nuk po e arrin potencialin e saj të vërtetë . Më lejoni t’jua shpjegoj këtë.
Pengesat kryesore janë paqartësia gjerësisht e përhapur rreth konflikteve në Ukrainë e në Lindjen e Mesme, politikat ekonomike si dhe goditjet potenciale ekonomike në të ardhmen. Kjo pasiguri ka prekur sentimentin dhe po i ndal konsumatorët që të shpenzojnë si dhe firmat që të investojnë në sipërmarrje të reja biznesi.
Por efektet shkojnë edhe më tej. Nëse Evropa nuk bëhet më inovative dhe efikase, ajo mund të mbesë prapa rajoneve të tjera. Aktualisht të ardhurat për kokë banori në Evropë janë tashmë rreth 30 për qind më të ulëta se ato në SHBA. Kjo është për shkak të një hendeku të madh produktiviteti që është krijuar që nga fillimi i shekullit.
KOHA: Nga vjen ky hendek?
Kammer: Krahasuar me Shtetet e Bashkuara, firmat e mëdha evropiane inovojnë dhe rriten më pak. Për shembull, firmat e teknologjisë të listuara në SHBA janë bërë 40 për qind më produktive gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa ato të teknologjisë evropiane kanë ngecur. Në të njëjtën kohë firmat e vogla evropiane janë më pak dinamike se ato në SHBA. Janë firma të reja që fillimisht rriten me shpejtësi, por nuk arrijnë të ngrihen. Firmat e reja inovative amerikane zgjerohen më shpejt dhe absorbojnë një masë gjashtë herë më të madhe punësimi sesa homologët e tyre evropianë.
KOHA: Çfarë qëndron pas këtyre dallimeve?
Kammer: Analizat tona gjejnë se tregjet e segmentuara të Evropës kufizojnë aftësinë e firmave për t’u rritur. Për më tepër, qasja në financimin e kapitalit është më e kufizuar, gjë që dëmton financimin e qëndrueshëm për kërkimin dhe zhvillimin. Kështu është qasja në kapitalin sipërmarrës që financon firmat e reja. Dhe në fund, ne kemi gjetur se Evropa ka nevojë për më shumë punëtorë të kualifikuar. Ata nuk janë të domosdoshëm vetëm që firmat tashmë të themeluara të kenë potencial për inovacion, por gjithashtu nevojiten që të lulëzojnë startupë inovativë.
KOHA: Çfarë rekomandimesh ka FMN-ja për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të tij?
Kammer: Pavarësisht nga të gjitha këto kufizime, ne jemi mjaft shpresëdhënës. Arsyeja është se ringjallja e produktivitetit të Evropës është në duart e saj. Ajo që do t’i duhet është një treg i vetëm më i thellë. Pavarësisht përmirësimeve të jashtëzakonshme gjatë dy dekadave të fundit në hapjen e tregut për të mira dhe shërbime – thjesht duhet të shikoni llojshmërinë e produkteve në dispozicion në supermarkete – ka ende shumë më tepër për të bërë. Ne kemi bërë një vlerësim për madhësinë e barrierave të mbetura dhe përfitimet nga heqja e tyre në raportin e publikuar ditë më parë.
Më lejoni të përmbledh atë që rekomandojmë. Së pari, në nivel rajonal, Evropa duhet të jetë më e lidhur përmes infrastrukturës më të mirë kufitare, duke përfshirë sektorët e transportit dhe energjisë. Evropa gjithashtu duhet të hapë më tej sektorët e saj të shërbimeve – p.sh. telekomunikacioni dhe shërbimet financiare, dhe gjithashtu ka nevojë për reduktim të barrëve administrative dhe burokratike.
Por shtetet duhet të bëjnë gjithashtu detyrat e tyre të shtëpisë: faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të brendshme janë institucionet efikase dhe të qeverisura mirë dhe një fuqi punëtore e kualifikuar. Këto reforma janë në duar të vetë këtyre vendeve.
Lajmi i mirë është se politikëbërësit evropianë janë të vetëdijshëm për nevojën për t’u bashkuar dhe me një komision të ri të fokusuar në forcimin e bazës ekonomike të Evropës ekziston një dritare mundësie që vendet evropiane nuk mund ta lejojnë ta humbin.
KOHA: Sa i pasqyron Kosova karakteristikat evropiane?
Kammer: Ngjashëm me vendet e tjera evropiane, Kosova përjetoi përshpejtim të rritjes në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi privat. Dhe ashtu si kudo tjetër, ne kemi parë gjithashtu një ngadalësim të inflacionit në Kosovë për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë dhe ushqimeve. Sipas parashikimit të fundit të stafit të FMN-së, rritja në Kosovë pritet të jetë 4¼ për qind në vitin 2024 – një nga normat më të larta që po parashikojmë për çdo ekonomi evropiane. Inflacioni parashikohet në 1.8 për qind – një nga më të ulëtit në Evropë.
Ekonomia e Kosovës, sikurse ajo e pjesës tjetër të Evropës, përballet me pasiguri dhe sfida të ngjashme. Paqëndrueshmëria e lartë e çmimeve të mallrave, tensionet e vazhdueshme gjeopolitike dhe pasiguria rreth drejtimit të politikës ekonomike kanë të gjitha potencialin ta ndikojnë perspektivën. Një sfidë kryesore është të forcohen produktiviteti dhe konkurrenca, që Kosova të mbyllë hendekun me ekonomitë e avancuara në Evropë dhe që Evropa të mbyllë hendeqet me SHBA-në.
KOHA: Stafi i FMN-së posa ka përmbyllur vizitën në Kosovë. Mesazhet e komunikuara gjatë diskutimeve dhe deklaratave publike duken pozitive. Performanca ekonomike e Kosovës shihet si e fortë, me rritje të përshpejtuar dhe rënie të shpejtë të inflacionit. Megjithatë, a mund të parashikoni se kur do t’i ndiejë shumica e popullsisë këto përmirësime në standardet e tyre të jetesës?
Kammer: Përshpejtimi i rritjes dhe ngadalësimi i inflacionit në vitin 2024 e bëjnë të qartë se Kosova po ecën në drejtimin e duhur. Megjithatë, Kosova ende ka nevojë për një avancim të konsiderueshëm për t’i arritur standardet e jetesës që mbizotërojnë në ekonomitë e përparuara në Evropë. Sa më i shpejtë të jetë ritmi i rritjes, aq më i shpejtë është shkalla e konvergjencës. Për ta vënë këtë në perspektivë, analiza e stafit të FMN-së tregon se nëse Kosova dëshiron të arrijë gjysmën e standardeve të jetesës së vendeve të Evropës Perëndimore brenda 20 vjetëve, do t’i duhet të mbajë një normë të qëndrueshme rritjeje prej 4 për qind në vit. Për ta arritur këtë qëllim më shpejt – le të themi pas 15 vjetësh – Kosova do të duhet të rritet me 5¼ për qind çdo vit. Dhe për një afat kohor edhe më ambicioz prej 10 vjetësh, rritja vjetore duhet të jetë 8 për qind. Këto janë norma dukshëm më të larta se në 25 vjetët e fundit, kur rritja mesatare e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për kokë banori ishte 3.1 për qind. Për të arritur rritje më të lartë, Kosova duhet të fokusohet në përmirësime thelbësore: qeverisje dhe institucione më të mira, përmirësime të rëndësishme në infrastrukturë dhe kapital njerëzor, dhe një mjedis miqësor ndaj biznesit për të nxitur sektorin privat.
KOHA: FMN-ja vëren gjithashtu se ka një konsum të fortë privat dhe rritje të investimeve publike. Megjithatë, një e treta e buxhetit të shtetit ndahet për subvencione dhe transfere, shumica e të cilave shkojnë për grupe të ndryshme në nevojë. Një pjesë pak më e vogël është caktuar për pagat publike, me përafërsisht të njëjtën shumë të ndarë për investime kapitale. A përfaqëson kjo formë tipike e performancës pozitive ekonomike?
Kammer: Kompozicioni i shpenzimeve publike është me të vërtetë një preokupim thelbësor për politikëbërësit pasi kategoritë e ndryshme të shpenzimeve kanë ndikime të ndryshme në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme fiskale. Shpenzimet e Kosovës për paga nuk janë jashtë linjës me nivelet e vërejtura ndërkombëtarisht për vendet me nivele të ngjashme të të ardhurave, ndërsa shpenzimet sociale (duke përfshirë shëndetësinë dhe arsimin) janë relativisht të ulëta. Shpenzimet për investimet publike, të cilat janë në rritje që nga viti 2022, janë relativisht të larta sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo është pozitive, pasi që nevojat për infrastrukturë publike janë të mëdha në Kosovë. Sigurisht, është e rëndësishme që shpenzimet për investime të përkthehen në projekte, infrastrukturë dhe rritje të cilësisë së lartë. Korniza e menaxhimit të investimeve publike në Kosovë po përmirësohet, por ka ende punë për të bërë.
Më lejoni të shtoj se për të siguruar një kompozicion të shëndetshëm të shpenzimeve qeveritare është e rëndësishme të ndiqen politika të kujdesshme fiskale. Rregullat fiskale, si ajo për normën e rritjes së pagave publike dhe klauzolës për investime publike të financuara nga donatorët dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), mund të ndihmojnë në formimin e kompozicionit të dëshiruar të shpenzimeve. Po ashtu, politikëbërësit duhet t’i kushtojnë vëmendje efikasitetit të shpenzimeve publike – për të siguruar që niveli aktual i shpenzimeve të sjellë rezultatet e dëshiruara.
Në fund, derisa Kosova më e pasur, kërkesat për shërbime publike dhe kostoja e ofrimit të tyre do të rritet, ndërsa plakja e popullatës do të shtojë presione të mëtejshme mbi shpenzimet, përmes kostove më të larta të pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor. Për ta adresuar këtë, Kosova do të duhet të rritë zarfin e përgjithshëm të shpenzimeve duke forcuar më tej kapacitetin e saj tatimor.
KOHA: A mund të elaboroni për lexuesit tanë qëndrimin e FMN-së në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025 – konkretisht deklaratën: “Falë përmirësimit të mbledhjes së të hyrave dhe në përputhje me rregullën fiskale, buxheti do ta lehtësojë rritjen progresive të pagave në sektorin publik”. Kjo, ju lutem, në kontekstin e rritjes substanciale të pagave të sektorit publik, që rrogën mesatare e çon në mbi 800 euro krahasuar me rreth 500 euro sa është në sektorin privat.
Kammer: Projektbuxheti i vitit 2025 përfshin një rritje të kompensimit të zyrtarëve publikë përmes rregullimeve të koeficienteve të pagave. Kjo do të rezultojë në një rritje absolute të barabartë midis punonjësve, duke rezultuar në ndryshime progresive – ata që janë në fund të shkallës së pagave do të shohin një rritje përqindjeje më të lartë se ato në krye. Mbrojtja e vlerave reale të pagave dhe ruajtja e kompensimit konkurrues janë thelbësore për të tërhequr dhe mbajtur staf të kualifikuar dhe për të stimuluar performancën.
Krahasimi i pagave në sektorin publik dhe privat është me të vërtetë një mënyrë e dobishme për të vlerësuar konkurrencën e vendeve të punës në sektorin publik. Te vendet në zhvillim, mesatarja e pagave të sektorit publik ndaj sektorit privat priret të jetë më e lartë se në ekonomitë e përparuara. Pagat në sektorin publik mund të jenë më të larta në krahasim me sektorin privat për shkak të mesatares së pagave për punëtorët me kualifikim të ulët krahasuar me punëtorët me kualifikim të lartë dhe një përqindje më të lartë të punëtorëve me kualifikim të lartë. Gjithashtu, prania e mundshme e pagesave jozyrtare me para të gatshme për punonjësit e sektorit privat mund të nënvlerësojë nivelin e vërtetë të kompensimit në sektorin privat në Kosovë.
KOHA: Çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova për të forcuar sektorin privat dhe prodhimin, për të frenuar deficitin tregtar në rritje dhe për të parandaluar migrimin e fuqisë së saj të re punëtore?
Kammer: Për të forcuar rritjen e udhëhequr nga sektori privat, reformat duhet të përqendrohen në përmirësimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe investimeve, duke përfshirë reduktimin e pengesave burokratike dhe përmirësimin e të drejtave të pronësisë, reduktimin e informalitetit, rritjen e qasjes në financa, investimin në infrastrukturën publike (përfshirë atë digjitale), në kujdesin shëndetësor dhe në arsimin.
Për të përmirësuar rezultatet e tregut të punës, politikat duhet të synojnë përmirësimin e arsimit të mesëm dhe shkollimit profesional për të harmonizuar aftësitë e punonjësve me nevojat e sektorit privat, të mbështesin mundësitë për kërkim të personalizuar të vendeve të punës dhe të ofrojnë mundësi të përballueshme dhe të përshtatshme për kujdesin e fëmijëve.