Një burrë i zhdukur për më shumë se një javë në shkretëtirën e gjerë të provincës kanadeze të British Columbia, është gjetur pasi gdhendi fjalën “ndihmë” në një shkëmb dhe vizatoi “SOS” në baltë.
Andrew Barber u shpëtua nga policia kanadeze më 8 gusht – nëntë ditë pasi 39-vjeçari u raportua i zhdukur – pasi një helikopter vuri re kamionin e tij në një rrugë pyjore, gjë që ndihmoi në ngushtimin e kërkimit, transmeton Telegrafi.
Policia thotë se ai ishte i dehidratuar rëndë dhe kishte një dëmtim në këmbë, por përdori një numër taktikash për të mbijetuar, duke përfshirë ndërtimin e një strehe dhe pirjen e ujit të pellgut.
Rreshteri Brad McKinnon tha se Barber është “mjaft mirë”.
Ai u raportua i zhdukur më 31 korrik pranë liqenit McLeese, rreth 587 kilometra në veri të Vankuverit, ku kamioni i tij ishte prishur.
Një helikopter policie e vuri re Garber pranë strehës së tij të improvizuar të premten, pasi pa kamionin.
“Pas më shumë se një jave në natyrë, subjekti ynë është gjetur i gjallë gjatë kërkimit të sotëm nga ajri”, postoi në Facebook, Quesnel Search & Rescue, një grup vullnetarësh kërkim-shpëtimi në zonë.
Një imazh i ndarë nga grupi i shpëtimit tregon strehën që Barber ndërtoi për vete nga shkopinj dhe baltë. Ishte mbështetur në shkëmb ku ai përdori dhe për të shkruar “ndihmë”.
Ai u dërgua në spital për trajtim dhe që atëherë është liruar.