Katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në fshatin Samadraxhë të Suharekës.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të martën rreth orës 08:30, pasi një qytetar kishte raportuar se i dyshuari B.K., nga Samadraxha, kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori”, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, çka kishte penguar qarkullimin e lirë të banorëve.

Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë me një thikë.

Policia ka reaguar duke neutralizuar sulmin dhe duke arrestuar të dyshuarin.

Gjatë procesit të arrestimit, si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm nga ana e tij, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.

I dyshuari është dërguar në Stacionin Policor në Suharekë, ndërsa rasti po trajtohet në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i cili do të vendosë për veprimet e mëtejshme procedurale në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Related Posts