Kanë mbetur edhe pak ditë deri në rifillimin e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po shkon drejt fundit të gjykimit, ku më 9 shkurt pritet të fillojnë seancat me fjalët përfundimtare të palëve.

Nga 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria e Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e të akuzuarve do të thonë fjalët e tyre. Në fund, të drejtën për fjalim e kanë edhe katër të akuzuarit, ku secili do të ketë në dispozicion 20 minuta për të dhënë versionin e tij mbrojtës. Në prag të këtyre seancave, avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, tha se mbrojtja ka kryer punën e saj me dëshmitarë të fuqishëm.

“Mbrojtja do ta paraqesë fjalën përfundimtare. Mbrojtja e ka strategjinë e saj të qartë: nuk ka ekzistuar përgjegjësia komanduese dhe nuk ka ekzistuar e ashtuquajtura ndërmarrje e përbashkët kriminale. Këtë teori mbrojtja e vërtetoi duke thirrur dëshmitarët e saj, të cilët po ashtu vërtetuan se këto dy baza të përgjegjësisë penale nuk përkojnë me katërshen e akuzuar”, tha Qerkini për RTK-në.

Pas fjalëve përfundimtare, janë në dispozicion 90 ditë për vendimin e shkallës së parë për rastin “Thaçi e të tjerët”. Lirimin e tyre e presin edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. “Me vullnetin më të madh presim lirimin e bashkëluftëtarëve tanë, sepse asnjë faj nuk e kanë, të paktën sa i përket luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta për çlirimin e vendit nga një pushtues që s’ka lënë gjë të zezë pa ia bërë popullit tënd nuk është krim; përkundrazi, është nder dhe respekt që mund t’ia bësh kombit tënd. Prandaj, të njëjtën punë e kanë kryer ata burra që sot i kemi në Hagë”, deklaroi Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL të UÇK-së.

Related Posts