Korporata Energjetike e Kosovës ka deklaruar se ndodhet në një moment historik transformimi, me investime që kapin vlerën mbi 500 milionë euro.

Në një njoftim zyrtar, KEK-u thotë se këto investime po kontribuojnë drejtpërdrejt në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.

Në fokus të këtij transformimi është modernizimi i njësive prodhuese ekzistuese, si dhe zhvillimi i projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

“Me mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, KEK po avancon në projekte strategjike për sigurinë energjetike.                          

KEK ndodhet në një moment historik transformimi, me investime mbi 500 milionë euro që po forcojnë sigurinë energjetike dhe po e pozicionojnë ndërmarrjen si moderne dhe të qëndrueshme.

Modernizimi i kapaciteteve ekzistuese dhe zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme po ndërtojnë themelet e energjisë së së ardhmes për Kosovën” deklaron KEK-u.

Më herët gjatë ditës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se ky investim është në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Modernizimi i turbinave dhe investimet tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimi i thellë i njësisë A3, investimet madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, dhe hyrja për herë të parë e KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtritshme përmes parkut solar, janë tejet të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë. Me përfundimin e këtyre projekteve, Kosovës do t’i shtohen rreth 150 MW kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 MW kapacitete te reja gjeneruese nga burimet e ripërtrishme” deklaroi Kurti.

Related Posts