Banka e të akuzuarve në sallën e gjyqit në Prishtinë ishte e zbrazët kur nisi gjykimi për krimet e luftës, të kryera mbi 25 vjet më parë nga forcat ushtarake dhe policore serbe, në Mejë të Gjakovës.

Nga mesi i qershorit, të akuzuarit po gjykohen në mungesë, pasi nuk janë në dispozicion të drejtësisë kosovare.

Kundër tyre është lëshuar edhe një fletarrestim ndërkombëtar.

Beogradi zyrtar, tash për tash, hesht.

Ushtria e Serbisë thotë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka informacion” në lidhje me pjesëtarët e saj që figurojnë në aktakuzën e Kosovës, ndërsa policia nuk i përgjigjet pyetjes.

Më shumë se 50 të pandehur, përfshirë ish-udhëheqës të forcave ushtarake dhe policore serbe, akuzohen për vrasjen e 370 shqiptarëve të Kosovës në Mejë dhe në fshatra të tjerë përreth Gjakovës, gjatë luftës së vitit 1999.

Mbi një çerek shekulli pas masakrës, shumica e të akuzuarve janë në pension, dhe kundër tyre në Serbi – zyrtarisht – nuk është duke u zhvilluar ndonjë hetim.

Disa janë aktivë në jetën publike – shkruajnë dhe promovojnë libra, angazhohen në politikë dhe shfaqen në media.

Në kërkim të të akuzuarve, Radio Evropa e Lirë analizoi bazat e disponueshme të të dhënave dhe arkivat.

I dyshuari kryesor, “opozitar” në Nish

“Nuk më shkon ndërmend të shkoj në gjykim në Prishtinë, por do të paraqitesha gjithmonë para një gjykate në Beograd”, thotë për Radion Evropa e Lirë Momir Stojanoviq, ish-shef i sigurisë së Korpusit të Prishtinës dhe i dyshuar kryesor në aktakuzën e Kosovës.

Related Posts