Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina ka reaguar pasi shefja e tij u përfshi në skandalin e shfrytëzimit të naftës. Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse që nga viti 2012 jeton në Prishtinë, ka marrë para për shpenzimet e rrugës, duke mashtruar se jeton jashtë kryeqytetit.
Kupina përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se në kohën kur është zgjedhur Osmani deputete nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë.
“Reagim ndaj “qepuesve” që e akuzojnë presidenten për abuzim të taksave qytetare. Në vitin 2010, kur zonja Osmani është zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë. Në atë kohë, deputetja Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim. Ajo është regjistruar në formularin për regjistrim si deputete e Mitrovicës, por ajo poashtu asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim”, ka shkruar Kupina.
Ndonëse, presidentja kishte deklaruar se që nga viti 2012 jeton në Prishtinë, këshilltari i saj thotë se Osmani më shumë se gjysmën e vitin e ka kaluar në Gjilan.
Tutje, ai ka shtuar se Osmani nuk ka qenë e informuar rreth kompensimit për udhëtime, ani pse që nga viti 2011-2014 kishte marrë 80 euro për muaj.
“Që nga dhjetori i vitit 2012, znj.Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar. Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim. Siç dëshmohet ajo nuk është kompensuar për 4 mandatet e tjera si deputete edhe pse ka udhëtuar për pjesën më të madhe të secilit nga këto vite”, ka shtuar me tej Kupina.
Kupina në fund ndërhyri edhe në raportin e mediave, duke ju treguar se më e rëndësishëm është të merren me milionat që abuzuan partitë e tjera, dhe jo me Vjosa Osmani.
Ai nuk la pa përmendur faktin se shpenzimet si presidente të Osmanit janë më të ulëta se të presidentëve të kaluar.
“Prandaj moralizuesit që sot qepojnë duhet të reagojnë për 53 milionëshat e shumtë të abuzuar nga partitë e tyre, e jo ta dezinformojnë publikun rreth presidentes.Se sa e kujdesshme është presidentja me kuletën e shtetit e dëshmon fakti që edhe si kryetare e kuvendit e edhe si presidente ka bërë shpenzime deri dhjetëfish më të vogla, por duke bërë punë shumëfish më të mëdha për shtetin!|”, ka shkruar Kupina./Insajderi.org