Brenda pak ditësh, presidentja Vjosa Osmani, dy herë i ka konfirmuar deklarimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se e ka shmangur një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia. Në rastin e fundit, Osmani ka theksuar se ka qenë presidenti Trump ai që ka ndikuar që një eskalim i javëve të fundit të parandalohet.

KFOR-i në një përgjigje për KOHËN nuk e ka konfirmuar e as mohuar një pretendim të tillë.

Ka deklaruar se angazhimi për stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur.

“Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i rëndësishëm strategjik për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i palëkundur, siç e ritheksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në një intervistë për mediat, gjatë Samitit të NATO-s në Hagë”, thuhet në përgjigje.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pati thënë gjatë Samitit të NATO-s se janë të angazhuar në rajon, duke theksuar se ka pasur biseda të thella me liderët në Bosnjë e Kosovë.

“Në javët që shkuan, ashtu siç ka deklaruar presidenti Trump, ai ka parandaluar një përshkallëzim të asaj se çka Serbia ka provuar të bëjë në kufi me Kosovën, por ishte ndikimi i tij personal që e parandaloi këtë përshkallëzim”, ka thënë Osmani në një diskutim të zhvilluar në Hudson Institute.

Related Posts