Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë, lidhur me një incident të ndodhur të premten në një lokal në fshatin Rigjevë të Klinës.
Nga hetimet e deritanishme të IPK-së, dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë që dyshohet të mos jetë armë zyrtare (në bazë të provave të gjetura në vendngjarje).
“Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës pas veprës penale’”, thuhet tutje në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

























