Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar pro hapjes së konkursit për 3 anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Me propozimin e deputetit të LVV-së Vigan Qorrolli edhe pse nuk ishte në rend dite u shtua si pikë kjo çështje.
“Në vijimësi të disa vakanteve institucionale si pasojë e mungesës së konstituimit të mirëfilltë sipas zgjedhjeve të vitit 2025, kemi një kërkesë që është deponuar në maj të vitit 2025 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shpalljen e konkursit për plotësimin e një vendi vakant, si pasojë e dorëheqjes të një kandidati të mëhershëm që ka ushtru funksionin në Këshillin Gjyqësor. Për momentin kemi një vend vakant në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, andaj në bazë të të gjitha autorizimeve që në i gëzojmë si komision për legjislacion kërkoj që të futet pikë e rendit të ditës Shpallja e konkursit për një vend të KGJK-së”, tha Qorrolli.
Ndërkaq Përparim Gruda si kryetar i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës theksoi se janë 3 pozita të lira, 1 shqiptar edhe 2 minoritete.
Po ashtu komisioni ka caktuar deputeten Arjeta Rexhepi, anëtare të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të burgosurve, të dënuarve dhe të përndjekurve politik.
Shtyhet për një mbledhje tjetër Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.
Ndërkohë që është shtyrë shqyrtimi i planit të punës së Komisionit për sesionin pranveror.
Përparim Gruda kryetar i komisionit tha se draft-plani është përcjellë tek të gjithë anëtarët e komisionit, por që meqenëse janë propozuar disa pika nga Tahiri i AAK-së të shtyhet./EO.
“Stafi i komisionit ka përcjellë tek të gjithë anëtarët një draft të planit, të cilin e ka hartuar komisioni bashkë me mua, kemi tentuar me përfshi çdo gjë që duhet për këtë komision, ky plan pune më lejoni që të them se është reflektim i agjendës legjislative të propozuar prej Qeverisë, e sidomos pjesës së Ministrisë së Drejtësisë” tha ai.
Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së propozoi që nga ky komision të bëhet monitorimi i zbatueshmërisë së ligjit.
“Nuk kam asnjë problem me u ulë na me diskutu planin e punës, me pas kohë 1 javë ditë edhe mundemi me diskutu, mirëpo e shoh bukur të rëndësishëm, ndoshta edhe prej mësimeve të nxjerra prej mandatit të kaluar, unë mendoj që ky komision e ka barrën thelbësore të bëjë mbikëqyrjen, monitorimin e legjislacionit që lidhet me sundim të ligjit. Ashtu kështu edhe kemi mandat, mirëpo e shoh bukur të rëndësishme nëse kemi bërë një veprim, Qeveria kur bën një veprim, Kuvendi një veprim e shoh bukur të rëndësishme me pas një rol shumë më praktik të monitorimit të zbatueshmërisë së ligji”, propozoi Tahiri.






















