Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Mamushës ka demantuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), se një 31-vjeçar nga kjo komunë ka vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus.
Në reagimin e Drejtorisë së Shëndetësisë thuhet se sot në këtë komunë nuk ka asnjë vdekje, ndërsa më 17 nëntor nga coronavirusi ka humbur jetën një 72 vjeçare, transmeton Telegrafi.
“Sot me datë 18.11.2020 Ministria e Shëndetësisë-IKSHP gjatë raportimit të numrit të rasteve ditore dhe vdekjet nga Covid-19 ka njoftuar se ka vdekur një i ri 31 vjeçar nga Komuna e Mamushës. Me këtë ne ju demantojmë për këtë lajm pasi që sot në Komunën e Mamushës nuk ka asnjë vdekje natyrale ashtu edhe asnjë vdekje nga covid-19.
Rasti në fjalë është se, dje ka qenë një rast ku fatkeqësisht ka humbur jetën një 72 vjeçare.”, thuhet në reagim.
Ndryshe, IKSHPK sot ka bërë të ditur se nga COVID-19 kanë humbur jetën 11 persona e në mesin e tyre edhe një 31 vjeçar nga Komuna e Mamushës.