Komuna e Prishtinës ka dhënë tender në vlerë rreth 100 mijë euro për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit.

Kontrata i është dhënë me negocim kompanisë “Te Fatosi SH.P.K”.

Në njoftimin e publikuar në e-Prokurimi theksohet se kjo kompani kishte ofertuar fillimisht me çmim 98 mijë e 557 euro dhe se pas negociatave, ka bërë zbritje për 1 mijë e 500 euro, shkruan Reporteri.net.

“Çmimi i ofertës se kandidatit “Te Fatosi” SH.P.K., me rastin e ofertimit ka qene ne vlere totale prej 98,557.00 euro. Pas zhvillimit te negociatave për zbritje te çmimit kandidati ka bere zbritje prej 1,500.00 € euro nga vlera e ofertës dhe çmimi përfundimtar për këtë aktivitet pas negocimit te çmimit është 97,057.00 euro me TVSH”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.

Për këtë tender, ku vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100 mijë euro, kanë qenë edhe dy oferta.

“Adhurim Haraqia B.I” ka ofertuar me 99 mijë e 890 euro, teksa “Besa Company SH.P.K”, me çmim prej 99 mijë e 520 euro.

Këto dy kompani janë eliminuar me arsyetimin se nuk kanë marrë pjesë në negocim të çmimit.

Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar më 12 dhjetor.

 

 

Related Posts